E Diel, 1 Nëntor 2026

Rimbursimi i ilaçeve, një pjesë e tyre nuk listohen nga ministria

Përzgjedhja, sasia dhe cilësia e ilaçeve gjatë hartimit të listës së rimbursimit është pika më e dobët e sistemit farmaceutik, proces i cili përcakton fatin e pajisjes me barna të pacientëve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Listimi i barnave për t'u rimbursuar nuk i përshtatet nevojave kryesore të që kanë pavijonet e QSUT. Ndërkaq, riumbursohen sasi të mëdha ilaçesh të lira dhe jocilësore, të cilat nuk kanë prioritet shëndetin e popullatës, por interesat klienteliste të furnizuesve dhe ë firmës sipërmarrëse. Nga ana tjetër, barnat më të shtrenjta dhe të domosdoshme për përmirësimin e shëndetit të pacienti, këta të fundit i blejnë në farmaci me shpenzimet e tyre. Kështu, gjatë procesit të listimit të barnave që do të rimbursohen, konstatohet mungesa e disa rregullave dhe standardeve në përzgjedhjen e këtyre ilaçeve, në raport me kërkesat dhe nevojat e pacientëve. Ndërkaq, barnat që mungojnë në QSUT, kanë qenë të njëtrajtshme dhe të përvitshme, pra të njohura nga ekspertët e listimit. Në këtë mënyrë, përjashtimi nga rimbursimi i një sërë barnash të domosdoshme për shëndetin e pacientëve, bëhet e qëllimshme, duke na krijuar hapësira dyshuese për përfitime ekonomike nga organi kompetent. Ndërkohë, kur përgatitet lista e barnave që do të rimbursohen, mungojnë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet për rishikim e ilaçeve, shtimi ose pakësimin e tyre, nga ekspertët përkatës. Në këtë proces, konstatohet edhe mungesa e një metodologjie tradicionale nga komisioni përkatës, që ti përshtatet nevojave specifike të pacientëve, cka do të evitonte mungesën e barnave dhe do të garantonte një shërbim shëndetësor më cilësor. Aktualisht, lista e barnave të rimbursueshme hartohet nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një komisioni të posaçëm, komision ky që operon me mungesën e një rregulli për mënyrën e sistemimit të barnave. Ky komision përbëhet nga disa anëtarë që përzgjedhin ose seleksionojnë barnat, që duhet të jenë në listën e rimbursimit. Tre anëtarë të tij përfaqësojnë Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, por ata nuk kanë të drejtë vetoje. Ndërkohë që një vend mjaft të rëndësishëm zënë specialistët e shërbimeve në Ministrinë e Shëndetësisë. Propozimet për listën e barnave që do të rimbursohen duhet të bëhen në përputhje me mendimin shkencor mjekësor për ilaçet që duhen përfshirë në skemë dhe jo sipas dëshirës së drejtuesve. Vetëm pas rakordimeve të komisionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëhen publike edhe ndryshimet e listës, shtimi ose eliminimi i barnave prej saj. Ndërkaq, realiteti flet ndryshe, sepse hartimi i listës së barnave të rimbursueshme, është në kundërshtim me nevojat e popullatës. Në këto lista përfshihen barna të kufizuara, jo cilësore, madje një medikament, i cili është i lirë është përfshirë, ndërsa një tjetër nuk gjendet fare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›