E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimëkëmbja e ekonomisë globale, rrezik nga kriza e borxheve në Europë

Rimëkëmbja e ekonomisë globale ka nisur, por kriza e borxheve të Europës është rrezik serioz për rritjen e qëndrueshme. Ky është paralajmërimi që bën Banka Botërore në Parashikimet ekonomike globale 2010, të publikuar sot online.

Sipas këtij parashikimi rritja globale mund të shkojë në 3.3 për qind në 2011, dhe 3.5 për qind në 2012. Vendet në zhvillim do të kenë rritje më të lartë që shkon 5.7 e 6.2 për qind përkatësisht për vitet 2011 dhe 2012. Sipas raportit impakti i krizës europiane është arritur të frenohet por borxhet në rritje mund ti bëjnë kreditë edhe më të shtrenjta dhe të tkurrin ndjeshëm investimet e rritjen në vendet në zhvillim.

“Vendet në zhvillim do të vazhdojnë të përballen me boshllëqe serioze financiare” thuhet në këtë raport. Raporti specifikon gjithashtu se ende rreziqet mbeten prezente për disa vende ku kriza mund të përcillet në sistemet financiare prej situatës se bankave amë.

Në këtë drejtim sinjali i alarmit prek edhe Shqipërinë. Në raport thuhet se në vecanti një cështje që duhet ndjekur gjatë muajve në vijim është rasti i bankave greke që bartin një pjesë të madhe të huave në Shqipëri, Bullgari, Rumani dhe Serbi. Situata financiare e këtyre bankave mund të ketë pasoja domethënëse për investimet dhe aktivitetet ekonomike në këtë grup vendesh.

Sinjal rreziku për Shqipërinë janë edhe kreditë me probleme. 11 nga 16 vende në glob të cilat kanë probleme me kreditë janë evropiane. Ndër to me më shumë se 9 perqind kredi me probleme janë Shqipëria, Letonia, Moldavia, Mali i Zi dhe Rumania. Gjendje më të rëndë me kreditë kanë Kazakistani, Maqedonia, Rusia e Serbia.

Adi Darsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›