E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rina Ismailati, gjeniu i “Ismail Qemalit”

Autori i Lajmit: Lili Saraçi

Ajo “konkurron” mësuesit e matematikës në shkollën e mesme të përgjithshme “Ismail Qemali”. Sapo prezantohesh në këtë gjimnaz për ta bërë pjesë të suplementit të gazetës, mësuesit menjëherë të thonë emrin e “gjeniut”, Rina Ismailati, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Amerikë si studiuese e numrave të parregullt pas presjes dhjetore. Në muajin maj, pas çmimit që arriti të merrte, ditën e shtunë ajo do të jetë dhe përfaqësuesja e vetëm nga Shqipëria për këtë studim që Ina ka bërë në shkollën “Ismail Qemali”. Ajo është në vitin e katërt në këtë gjimnaz, por, jo më larg se dita e shtunë ajo është vlerësuar nga ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësues të huaj të arsimit me çmimin e parë si shkencëtare e vogël për një studim që ajo ka bërë për “Numrat e thjeshtë dhe rregulluesit e rinj”. Kontaktuar nga gazeta ajo na ka treguar se si i lindi ideja për të bërë një kërkim të tillë. “Mua më shqetësonte gjithmonë diçka, kisha një pyetje në vetvete se kur bëheshin pjesëtime të ndryshme, mbas presjes dhjetore dilnin numra të ndryshëm që në pamje të parë duken pa lidhje dhe të çrregullt, pasi numrat në matematikë duhet të jenë shumë të saktë, por mua nuk më rezultonte kjo. Duke u nisur nga ky dyshim, iu futa punës për të zbuluar rregullsi te numrat që dilnin mbas presjes dhjetore. Fillimisht, kërkimet e mia ishin të bëja pjesëtimin me numrin 7 dhe, pasi bëja pjesëtimin me 7, rezultatin e shënoja, dhe kështu fillova të bëja pjesëtimet me radhë. Zbulova që kisha të bëja me një parregullsi të pafund numrash”,- ka pohuar Ina. Por, në vazhdimësi të bisedës, ajo dëshiron të na tregojë sa më shumë detaje se si kishte mundur të arrinte në një përfundim të tillë dhe që kishte marrë edhe çmime për këtë studim që ajo kishte bërë. “Pjesëtimin me numra e kam bërë gjatë në letër dhe me çiftet e numrave që më dilnin në fund, unë formova një grafik të ri. Ky grafik ishte i formuar nga numrat 7, 13, 17; në të gjitha rastet grafiku dilte i rregullt dhe kishte një pamje interesante, dhe unë arrita të zbuloja rregulluesit që në pamje të parë dukeshin të çrregullt dhe kaotikë”,- na tregon gjimnazistja Ina. Në fund të fjalës së saj, Ina na tregon se ka arritur të krijojë një metodë të re studimi për “Numrat e thjeshtë dhe rregulluesit e rinj”.

“Ismail Qemali”, shkolla ku 85 nxënës marrin të gjitha notat 10

Shkolla e mesme e përgjithshme “Ismail Qemali” ka një kontingjent nxënësish shumë të mirë me mësime. Kështu, sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Lumturi Çela, një klasë në këtë shkollë ka rezultate shumë të mira, ku nga 34 nxënës janë mbi 20 nxënës që kanë të gjitha notat 10, ndërsa pjesa tjetër e klasës nuk i ka notat 10, por ka nota të pranueshme për stafin pedagogjik që janë shumë kërkues. “Në shkollën tonë ka një kontingjent nxënësish që nuk është se na vinë të tillë, por me punën që bën stafi i mësuesve ata bëhen shumë të mirë. Kështu, në këtë shkollë ne kemi një klasë që e cilësojmë si klasa më e mirë në vend, pasi ka një numër nxënësish shumë të mirë dhe që kanë nota 10. Megjithatë, ajo që dua të them është se ne këtu kemi nxënës që nuk e kanë njohur ndonjëherë notën 9, pasi që në klasën e parë dhe në vitin e katërt që janë sot, unë personalisht i kam parë dëftesat e tyre dhe kam vënë re se në dëftesat e këtyre dy nxënësve nuk gjendet asnjë notë poshtë notës 10 dhe unë për këtë jam vërtet shumë krenare”,- ka pohuar drejtoresha Lumturi Çela. Kështu, gjatë reportazhit që gazeta ka bërë në këtë shkollë rezulton se janë mbi 85 nxënës me të gjitha 10, janë nxënës të shkëlqyer që marrin dy ose tre olimpiada. Kjo tregon se ka një interes, ka një element shumë pozitiv brenda në shkollë. Unë këtu do të hapja një parantezë dhe do të dëshiroja që edhe media elektronike ose e shkruar, duhet të jetë shumë e interesuar për të evidentuar këtë vlerë. Sepse ajo pika delikate që po vuan shoqëria dhe që është e trashëguar, është indiferenca, braktisja, heshtja, mungesa e vëmendjes ndaj njerëzve, të cilët meritojnë shumë. Megjithatë, sipas informacioneve që gazeta ka grumbulluar rezulton se 42% e nxënësve në këtë shkollë janë të ardhur, janë të lindur jo në Tiranë. Pjesa tjetër është e lindur në Tiranë, por sërish nuk dihet se çfarë përbërjesh ka. Megjithatë, mendojmë, kjo pjesa 42% mund të mbartë probleme sociale nga më të ndryshmet, sepse janë problemet e familjes dhe sigurisht që brenda shkollës janë importuar edhe këto probleme. Por shkolla bën maksimumin e mundshëm që jo vetëm ti mësojë këta fëmijë, por edhe ti edukojë. Kështu që shkolla reziston ndaj së keqes së përgjithshme. Një statistikë tjetër është sa i përket nivelit e aftësisë së nxënësve. Sipas statistikave që kemi, rreth 500 nxënës janë të nivelit shumë të mirë, me rezultate më shumë se 9.5. Kjo është domethënëse. Atëherë, pjesa shumë e mirë e shëndoshë është në shkollë përsëri, madje me interesa shumë të mëdha; me interesin për të mësuar. Janë 35 nxënës të vlerësuar nga të jashtëm që do të thotë me medalje, me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, me certifikime të vendeve të ndryshme në olimpiada, në konkurse brenda dhe jashtë vendit, por jashtë shkollës. Kjo do të thotë se janë vlerësime reale të marra nga këta nxënës.

Drejtoresha: “Bashkëpunimi me prindërit shumë i rëndësishëm”

“Ne bëjmë një takim të rregullt një herë në muaj me prindërit, të enjten e parë ose të dytë të muajit. Këtu vijnë prindërit pothuajse të gjithë. Ata që janë problematikë, i sjellin prindërit, por ka edhe nga ata që na kanë gënjyer dhe nuk i njoftojnë prindërit, na kanë dhënë dhe numrat e telefonit të rremë. U kam thënë edhe kolegëve që të tregohen të kujdesshëm në marrëdhënie me ta duke mos kursyer edhe ndonjë falënderim. Thajuni që janë shumë të mirë fëmijët tuaj, sepse kushdo që të ishte, nuk do të donte që të merrte vesh që ka këto të meta. Kështu që kjo është shumë e mirë për mua. Prindi vjen interesohet. Por mua më bie në sy diçka. Në kohën që keni qenë ju në shkollë, nuk e di, por në kohën që kam qenë unë në shkollë dhe shumë vonë, kur kam qenë edhe mësuese, prindi ishte partner me mësuesin. Tani e mbrapa prindi është partner me fëmijën. Kështu që ne e kemi humbur partneritetin me prindin dhe kjo neve na kushton shumë, sepse një mashtrim apo një parapërgatitje a një gjë tjetër e fëmijës, është e mbështetur nga prindi dhe ne jemi të detyruar ta justifikojmë.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›