E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/sekretari i Shtetit: “SHBA mbështet Kosovën”

Autori i Lajmit: Redaksia

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg, tha se pavarësia e Kosovës ka qenë një forcë për stabilitet në rajon dhe se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në dy vitet e saj të para si shtet i pavarur. Stajnberg i bëri komentet në prag të vizitës së tij në Ballkan ku përveç Kosovës, do të vizitojë edhe Bosnjen dhe Serbinë. Ai tha se gjatë vizitës do të bisedojë edhe rreth marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Stajnberg theksoi se me gjithë vështirësitë në këto marrëdhënie, ekzistojnë mundësi për të punuar në mënyrë pragmatike lidhur me një pjesë të problemeve. Ai tha se një prej çështjeve për të cilat ai dëshiron të bisedojë, është se si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe se si mund të ndërtohen ura mes dy komuniteteve. Me gjithë mosmarrëveshjet zyrtare, tha Stajnberg, ekzistojnë interesa të përbashkëta prandaj gjatë vizitës do të bisedohet në mënyrë pragmatike për shtimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Vizita
Xhejms Stajnberg është shprehur se shumë shpejt ai do të ketë një vizitë disaditore në Ballkan dhe veçanërisht do të ndalet në Kosovë. Gjatë deklaratës së tij, zv/sekretari i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të inkurajuara për faktin që fqinjët e Kosovës po ndërmarrin hapa pozitivë ndaj shtetit të ri duke vendosur marrëdhënie diplomatike dhe duke shkëmbyer ambasadorë me Kosovën si në rastin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Kjo, tha Stajnberg, flet për një kuptim praktik në Ballkan lidhur me të ardhmen e Kosovës. Shtetet e Bashkuara, tha ai, dëshirojnë të shohin që kosovarët të gëzojnë po ato përfitime që mund të kenë edhe vendet e tjera në rajon. Ende nuk është bërë publike axhenda e Xhejms Stajnberg në Kosovë, por sipas deklaratës së tij, ai do të vizitojë këtë vend për të vazhduar përmbushjen e premtimeve dhe mbështetjes që i është dhënë Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbështetja
Vetëm një ditë më parë ka pasur edhe një letër mbështetëse për Kosovën edhe nga sekretarja e Shtetit. Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka marrë një letër nga sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton, ku rikonfirmohet mbështetja e mëtejshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe thellimi i partneritetit mes dy vendeve. “Ishte kënaqësi tju takoja gjatë Lutjeve të Mëngjesit dhe vizitës suaj në Uashington. Pata kënaqësinë të diskutoja me ju rreth interesave tona të përbashkëta dhe mirëprita rastin për të dëgjuar pikëpamjet tuaja rreth çështjeve me të cilat ballafaqohen Kosova dhe SHBA-të”,- thuhet në letrën që Klinton ka dërguar në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Zyrtarja më e lartë e politikës së jashtme të SHBA-së parashikon se e ardhmja e Kosovës është integrimi në organizatat ndërkombëtare. “Pres të punojmë së bashku për të çuar më tej objektivin tonë të përbashkët të integrimit të plotë të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe për forcimin e partneritetit mes dy vendeve tona”,- ka shtuar Klinton.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›