E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rinas, një javë në pritj të drogës

28/02/2005  Inspektorët survejojnë aeroportin prej një jave, për të goditur rrjetin

Aeroporti i Rinasit survejohet nga inspektorët e antidrogës. "Nënë Tereza", mësohet se do të bëhet pikë takimi për shkëmbimin e mallit të një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Burime konfidenciale nga Ministria e Rendit Publik bëjnë të ditur se prej një jave uniformat kryejnë shërbime "nonstop", në pritje të ngarkesës, që mbetet ende mister se nga do të vijë dhe ku do të përfundojë. Disa të dyshuar si të implikuar në trafik, mbahen nën mbikqyrje të rreptë nga policia.

Sinjalizimi

Burime konfidenciale nga ministria e rendit publik bëjnë të ditur se afro një muaj më parë në dikasterin blu mbërriti një sinjal, sipas të cilit në aeroportin e Rinasit mund të realizohej një shkëmbim "malli". Informacioni u mor menjëherë në konsideratë, pasi prej shumë kohësh, zyra e antidrogës në drejtorinë e policisë së Tiranës nuk ka arritur të zbulojë ndonjë linjë të trafikut të narkotikut. Kësisoj, të dhënat u pasuruan menjëherë dhe materiale të tjera që deri në atë periudhë përbënin vetëm intervale të shkëputura nga një hetim i plotë. Të njëjtat burime shprehen se materialet plotësuan njëra-tjetrën dhe u arrit të përpilohej një ide e saktë mbi atë që mund të ngjiste në aeroportin e vetëm civil të vendit tonë. Por, burimet deklarojnë se mbeten ende të paqarta rrethanat e shkëmbimit të drogës dhe destinacioni apo origjina e saj. Përgjimet telefonike të disa të dyshuarve të përgjegjës në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve kanë arritur të rrëfejnë se data e shumëpritur është mjaft e afërt, por jo e përcaktuar saktësisht.

Survejimi

Kanë kaluar disa ditë që kur ekipi i inspektorëve dhe agjentëve të antidrogës shkelën aeroportin e Rinasit për të nisur misionin e tyre të rradhës. Të njëjtat burime saktësojnë se shërbimi i tyre përfshin të gjithë hapësirën territoriale të "Nënë Tereza", pasi një shenjë qoftë dhe e parëndësishme në një territor të pambuluar, mund të sjellë pasoja negative për operacionin. Blutë njihen çdo ditë me listën e udhëtarëve që hyjnë e dalin nga vendi ynë si dhe marrjen e informacioneve të detajuara për personat më precedentë penalë apo të cilësuar si kontigjentë policorë. Nuk dihet ende dhe sa do të vijojë survejimi i aeroportit, pasi gjithçka varet nga sinjali që do të dëshmojë për mbërritjen apo nisjen e ngarkesës së drogës. Sakaq, nuk njihet ende sasi dhe lloji i narkotikut që luan ky rrjet. Aeroporti i Rinasit nuk është i vetmi që i është nënshtruar survejimit gjatë këtyre ditëve të fundit. Burimet shprehen se tashmë është përpiluar një listë e gjatë me emra të personave të dyshuar si të implikuar në këtë linjë trafiku. Ata janë gjithahstu nën vëzhgim të rreptë të uniformave. Veprimtaria e tyre ditore si dhe bisedat telefonike në linja fikse apo celulare janë totalisht të kontrolluara. Pritet që ndjekjet e të dyshuarve të sjellin rezultate pozitive në përfundimin me sukses të këtij operacioni të nisur tashmë në aeroportin e Rinasit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›