Të paktën 12 të vdekur nga përmbytjet në Peru
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës që janë regjistruar në Peru. Nga kjo situatë, rezultojnë të paktën 30 të zhdukur dhe rreth 60 shtëpi të shkatërruara. Ky është bilanci provizor i të dhënave nga fatkeqësia natyrore që ka prekur Perunë gjatë ditëve të fundit. Rrëshqitje masive të tokës ka patur në fshatin Ambo, në veri e lindje të Përusë, dhe kjo situatë është provokuar nga shirat e dendur e të vazhdueshëm të rëna ditëve të fundit. Presidenti i rajonit të Huanuco, Jorge Espinoza, u ka kërkuar autorieteve të Lima-s, që të deklarojnë zonat e katastrofës, si zona të emergjencave, duke menduar se numri i viktimave mund të jetë shumë herë më i madh. Megjithatë autorieetet po punojnë për tu ardhur në ndihmë të mbijetuarve, apo për të transportuar kufomat e të vdekurve, edhe pse gjendja është vërtetë kritike dhe puna vështirësohet më tepër nga terreni i vështirë. Rrëshqitjet e tokës kanë bllokuar segmentin kryesor të komunikimit ndërmjet qytetit të Huanuco dhe Tingo Maria. Ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet.