Risia, 72 jahte “prenotojnë” Durrësin
Durrësi ndoshta mban rekordin e këtij sezoni turistik veror, për sa U përket ardhjeve të jahteve dhe skafeve turistike në bregdetin e tij. Kapiteneria e Porteve Shqiptare deklaroi se “janë mbi 72 të tillë, të cilët kanë regjistruar identitetin e tyre për muajin qershor në kalata dhe bregdetin durrsak, ku nuk kanë për të munguar turistë nga Gjermania, Kroacia, Greqia, Holanda, Belgjika, Anglia, Italia, Spanja e Rusia”.
Ndryshe nga viti i kaluar, ky vit pritet të shënojë numrin rekord të hyrjes dhe daljes së turistëve dhe pasagjerëve në portin detar të Durrësit, ende pa nisur piku i tij. Po ashtu, numri i anijeve turistike dhe jahteve ka qenë më i larti në historikun e këtij porti. Sipas Kapitenerisë së Përgjithshme të Porteve, “gjatë periudhës së verës 2008, në portin e Durrësit u ankoruan 124 jahte dhe motorskafe me flamuj të huaj, të cilët zgjodhën Durrësin si njërin ndër stacionet e tyre turistike, kurse sezonin veror 2009 mendohet se ky numër do të trefishohet, ndoshta kjo falë spoteve publicitare dhe imazhit pozitiv të krijuar në rajon dhe më gjerë për sigurinë dhe infrastrukturën turistike në Shqipëri”. Po ashtu, gjatë këtij sezoni në këtë port u regjistruan vetëm në muajin maj mbi 400 prekje tragetesh. Vetëm në 45 ditët e fundit në port u ankoruan 188 tragete, në të cilët u imbarkuan dhe zbarkuan 12.333 pasagjerë në një kohë që një vit më parë, në të njëjtën periudhë, ky numër ishte 66 tragete dhe 7.243 pasagjerë.
Gjithashtu, këtë periudhë numri i automjeteve që hynë e dolën nga porti i Durrësit ishte 21.896, në një kohë që një vit më parë ishte realizuar numri 14.500 automjete. Kjo situatë i rriti në mënyrë të ndjeshme të ardhurat e kompanive lundruese, në masën 30% më shumë se një vit më parë e po kështu rriti edhe të ardhurat e portit të Durrësit, që përfiton taksën e kalatës, si dhe rriti të ardhurat e kufirit, i cili vjel taksën e zbarkimit për pasagjerët e huaj.
Ndërkohë prej Kapitenerisë së Portit, e cila ligjërisht realizon unitetin e drejtimit të veprimtarisë detare, “arritja më e rëndësishme është rritja e sigurisë portuale, e cila ka ndikuar në rritjen gjithnjë e më tepër të numrit të pasagjerëve dhe turistëve”. Që nga janari 2009, portin e kanë vizituar 18 kroçera, të cilët kanë transportuar një numër të madh turistësh të huaj nga Amerika dhe Evropa Veriore. Ky sezon është i pari që nuk do të shoqërohet me fenomenin e krijimit të grumbujve të emigrantëve, të cilët në pritje të gjetjes së një bilete udhëtimi kalonin net të tëra në kalatat e portit, por askush nuk ka shanse të mbetet në port, falë seriozitetit të punës së bashkërenduar ndërmjet APD dhe kompanive të lundrimit private dhe asaj shtetërore. Krahas masave nga bashkia, edhe masat e marra nga dikasteri i Turizmit duket se kanë dhënë rezultate të shkëlqyera lidhur me kushtet dhe infrastrukturën në bregdetin durrsak. Porti nga ana e tij ka gati tre kalata të veçanta për ankorimin e mjeteve të huaja lundruese turistike.