E Diel, 1 Nëntor 2026

Risia shqiptaro-italiane, Milano-Tiranë-Torino-Venecia lidhen direkt

Tiranë, 12 nëntor 10:31 - Bashkia e Tiranës do të jetë e lidhur “live” me bashkinë e Torinos, nëpërmjet një ekrani gjigant, i cili do të shërbejë si mjet komunikimi mes dy qyteteve, përkatësisht shqiptar dhe italian. Burime nga bashkia e kryeqytetit njoftuan instalimin e një ekrani në sheshin para Muzeut Kombëtar. Ai do të shërbejë për të lidhur Tiranën me Torinon, e madje kjo e fundit do të mund të lidhet në kohë reale me Venecian dhe Milanon. Ky projekt është i mirënjohur në Itali, por përfshirja edhe e Shqipërisë në të, përbën një risi. Është një nismë e konsullit të Nderit në Torino, dr Giovanni Firera. Tiranë

Projekti “container art” ka në thelb vendosjen e një ure komunikimi mes qyteteve të ndryshme. Në këtë rast bëhet fjalë për Tiranën dhe Torinon. Në këtë kuadër është vendosur instalimi i kontenierit në zemër të Tiranës, i cili përmban një vepër moderne arti, mjaft të dukshme dhe të veçantë. Instalacioni është mundësuar nga artisti Genc Shkodrani, i cili e ka përfaqësuar këtë projekt me instalacionin e titulluar “Komunikimi”. Vepra ka në qendër një mumje, e cila qëndron ulur para një pasqyre apo vetvetes. E cilësuar si mjaft e veçantë, vepra do të qëndrojë e ekspozuar për aq kohë sa do të ketë jetëgjatësinë edhe kontenieri në qendër të Tiranës. Në zbatim të projektit, nëpërmjet kamerave dhe kompjuterit realizohet lidhja virtuale me qendrën e Torinos, ku gjithashtu janë vendosur instalacione nga artistë italianë. Publiku dhe artistët nga të dy sheshet mund të komunikojnë në kohë reale, duke u bërë pjesë e një eksperience të veçantë estetike.

Projekti italian “Container Art” është një formë e artit bashkëkohor, i cili krijon pika takimi mes artistëve dhe publikut në vende të ndryshme evropiane. Adresa e projektit në internet është: http://containerart.wordpress.com. Në këtë website është i ilustruar edhe itinerari që do të “ndjekë” projekti, ku artistët komunikojnë estetikisht me anë të kontenierëve, në qytete të ndryshme. Torino ka “komunikuar” në këtë mënyrë me Milanon nga data 24 tetor deri më 2 nëntor, me Tiranën, ndërsa do të komunikojë edhe me Venecian nga data 7 nëntor, deri më 7 dhjetor, duke pasur kështu kohëzgjatje më të madhe në këtë qytet të veçantë, që “lundron” në ujë.

Dhjetë ditë është parashikuar të zgjasë lidhja virtuale mes bashkisë së Tiranës dhe asaj të Torinos. Një gjë e tillë realizohet për herë të parë për motive estetike. Deri tani, lidhje “live” janë realizuar vetëm për çështje gjyqësore të krimeve të rënda

Dy qytete italiane do të marrin pjesë aktive në projektin “Container Art” gjatë këtij viti, pra në muajin nëntor dhe dhjetor. Bëhet fjalë edhe për Milanon dhe për Venecian. Nisur ndoshta nga karakteri i këtij qyteti, projekti do të zgjasë për një muaj rresht.

Rrjeti “Container Art”, në Itali funksionon si mënyrë, me anë të së cilës lidhen dhjetëra e qindra artistë me njëri tjetrin nga vende të ndryshme. Në këtë mënyrë, shkëmbehen eksperienca dhe mendime në lidhje me artin dhe estetikën.

Marrë nga “KJ”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›