E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi: KSHC ka dështuar

02/04/2009  Komisioni i Ligjeve kritikon punën e institucionit që mbron nëpunësit civilë

Kritika brenda institucionit. Mani: Cilësia e vendimeve është e dobët

Komisioni i Shërbimit Civil nuk është në gjendje të zbatojë ligjin dhe mbi të gjitha të realizojë qëllimin për të cilin funksionon: mbrojtjen nëpunësit civil. Në këtë përfundim ka arritur Komisioni parlamentar i Ligjeve pas prezantimit të raportit të përmirësuar mbi aktivitetin njëvjeçar të KSHC-së. Vlerësimin e punës dhe rekomandimet për ecurinë e mëtejshme të këtij institucioni Komisioni i Ligjeve do t’ia sugjerojë Kuvendit të Shqipërisë përmes rezolutës. Puna e komisionit është kritikuar edhe nga vetë anëtari Sajmir Mani, i cili e ka cilësuar atë të dobët. “Në gjykimin tim ky komision heziton të thotë realisht si zbatohet ligji. Për sa i takon cilësisë së vendimeve, ajo ka rënë. Janë kërkuar të vijnë vendimet e shkallës parë, por në gjykimin tim nuk duam ta marrim këtë evidencë, se rëndon cilësinë e vendimeve tona. Në pjesën më të madhe që ne nuk kemi pranuar ankesat, ankuesit në gjykata kanë rrëzuar vendimet tona”, - tha ai. Pak më herët kryetarja e KSHC-së Mimoza Hysenaj sqaroi për mungesën e mospërmendjes në raport të rasteve të vendimeve të gjykatës së shkallës së parë, se nga gjykatat e rretheve gjyqësore nuk ka të dhëna për shqyrtimin e çështjeve të ankesave të nëpunësve civilë. Pas kësaj deputetët e të dyja palëve kanë shprehur vlerësimet e tyre negative mbi punën vjeçare të këtij institucioni. “Kemi të bëjmë me një institucion që nuk ka asnjë lloj autoriteti dhe nuk mund të jetë garant i ligjit, qoftë nga mënyra si ka funksionuar brenda vetes, për këtë jemi dëshmitarë dhe ne, qoftë nga mënyra se si i ndërtojnë marrëdhëniet në anën profesionale. Mendoj se KSHC-ja nuk përbën garant për zbatimin e ligjit. Zotëri, ju jeni për të qenë pjesë e zgjidhjes, në fakt jeni bërë pjesa më e keqe e problemit të administratës civile”, - tha deputeti i PS-së Pandeli Majko. Edhe deputeti tjetër socialist Besnik Dervishi e ka cilësuar të dështuar punën e KSHC-së. “KSHC-ja e ka humbur garantin e ligjit. Shkarkimi i anëtarëve të KSHC-së bëhet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit. Është vënë një klauzolë e tillë që KSHC-ja të ketë kurajën të përplaset me ata që drejtojnë ekzekutivin, KSHC-ja nuk e ka pasur këtë kurajë, por është bërë aleat me institucionet e administratës publike, të cilët ankohen direkt në Gjykatën e Apelit, se e kanë këtë avantazh. Në rezolutë duhet të përmbledhim dhe dështimet e këtyre parimeve të përgjithshme, pra duke u shtuar propozimeve të kolegëve dhe dështimit të parimeve të shërbimit civil, siç janë pranimet dhe karriera”, - tha Dervishi.

Bashkim Fino

“Raporti është konstatues dhe nuk kemi një raport të mirëfilltë analitik. Vërehen shkelje flagrante, ka rekomandime, por nuk dimë nëse ato merren parasysh. Mbi të gjitha s’ka përgjegjës. Ne kemi thënë se nëpunësit janë pasuri kombëtare, por me sa duket institucioni që duhet ta thotë më fort këtë gjë nuk është në nivelin e duhur për të ruajtur këtë pasuri.”

Arian Madhi

“Nuk duhet të shprehim para kohe një lloj qëndrimi të kundërt mbi nevojën e KSHC-së, pra nëse duhet të jetë apo jo. KSHC-ja duhet të ketë vëmendjen tonë, por nuk mund të neglizhojmë kritikën. Jam dakord se raporti është konstatues, s’ka analiza apo rekomandime ku mund të diskutohet. Nuk jam shumë i kënaqur për këtë raport, nuk është justifikim të thuhet “nuk kam instrumentet”.

Sajmir Mani (anëtar i KSHC-së)

“Qëndrimi i KSHC-së duhet të jetë më real dhe konkret për ato pjesë ku ka shkelje të rënda të ligjit. Konkretisht do të them për pjesën e rekrutimit, ku kemi shkelje të rënda. Problem tjetër është edhe zbatimi i vendimeve të KSHC-së. Po ashtu ka rënë cilësia e vendimeve. Në pjesën më të madhe që ne nuk kemi pranuar ankesat, ankuesit në gjykata kanë rrëzuar vendimet tona.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›