Zbulohet në Gërdec, predha e paplasur
Trazhgim Sokolaj
Një predhë e përmasave të mëdha ende e aktivizuar u gjet dje nën sipërfaqen e tokës gjatë punimeve për hapjen e rrugës së fshatit Marqinet, në zonën e Gërdecit. Policia është lajmëruar nga banorë të Vorës dhe punëtorët e kompanisë që po kryen gërmimet për hapjen e rrugës. Rreth mesditës mjetet gërmuese po punonin në thellësi të tokës kur është konstatuar kontakti me predhën e pa shpërthyer. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 pak kohë para se punëtorët të bënin pushimin e drekës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se prekja e predhës nga ekskavatori ka qenë e lehte ndërsa punëtorët janë tërhequr menjëherë pas alarmit të shkaktuar. Pavarësisht kontaktit me krahun e metaltë të eskavatorit, predha shpëtoi pa u aktivizuar. Ngjarja shkaktoi panik tek punëtorët që po gërmonin për hapjen e rrugës dhe lëvizjen e dheut por edhe tek banorë të zonës të cilët kanë mësuar ngjarjen. Policia ka bërë fillimisht izolimin e zonës dhe më pas, në vendin ku u zbulua predha kanë mbërritur grupet e specialistëve të ushtrisë dhe njësitë antiminë. Sipas verifikimeve të para mësohet se predha paraqet rrezikshmëri të lartë pasi është e pa plasur. Hetuesit në vendngjarje, thanë se aktivizimi i saj mund të ndodhte si pasojë e përplasjes, ushtrimit të forcës apo edhe nga temperaturat e larta. “Predha në gjendje të paplasur është konstatuar rreth 1.6 metër në thellësi të sipërfaqes së tokës”, thanë burimet nga policia. Sipas tyre, është vendosur kontakt i drejtpërdrejtë dhe i vazhdueshëm me punëtorët që po kryejnë gërmime për rrugën e fshatit Marqinet, të cilëve u është kërkuar të lajmërojnë policinë në çdo rast kur gjatë punës konstatojnë predha apo mbetje ushtarake.
Rreziku në Gërdec
Një pjesë e mirë e zonës së Gërdecit, përfshi dhe fshatrat përteth ishte kufizuar me tabelat “Zonë e Infektuar” deri pak muaj më parë. Pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të fishekëve dhe predhave më 15 mars 2008, zona u konsiderua e rrezikshme. Forcat e ushtrisë të ndihmuara edhe nga specialistë të huaj nisën pastrimin e territorit në disa raste duke verifikuar nëntokën me mjete metalkërkues. Disa muaj pas tragjedisë zona u konsiderua jo problematike dhe shumica e banorëve të zonës u kthyen në banesat e tyre duke i rikuperuar dëmtimet e pjesëshme apo duke rindërtuar objektet që pësuan dëmtime të rënda. Kohët e fundit në zonën e Gërdecit dhe fshatrave Marqinet 1 e Marqinet 2, filloi projekti për ndërtimin e rrugëve që lidhin fshatrat me qendrën e bashkisë Vorë. Në një nga këto projekte po punohej edhe ditën e djeshme, kur punëtorët e kompanisë ndeshën një predhë të përmasave të mëdha, në gjendje ende të paplasur në thellësi rreth 1.6 metër nga sipërfaqja e tokës. Specialistët e xhenios dhe trupat e ushtrisë mësohet se kanë punuar dje me transportimin e predhës dhe më pas me asgjësimin e saj.
Kryetari i Bashkisë: S‘kam dijeni
TIRANE – Disa orë pas zbulimit të predhës gjatë punimeve për rrugën e fshatit Marqinet, gazeta “Panorama” kontaktoi dje me kryetarin e bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili. Ati tha se nuk kishte informacion për zbulimin e predhës gjatë gërmimeve që po kryheshin nga punëtorët e firmës private të ngarkuar me ndërtimin e rrugës. “Nuk kam informacion për këtë”, tha kryetari i Bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili, i pyetur dje në ora 17:31 në lidhje me zbulimin e predhës së rrezikshme, ngjarje e ndodhur në mesditë. Sipas të dhënave të policisë, predha luftarake është zbuluar në thellësi të zonës, megjithatë vendi ku ndodhej ajo, nuk ndodhet shumë larg nga rruga kryesore dhe nga vetë bashkia e Vorës.
Rreziku në Gërdec, pas tragjedisë
TIRANE – Zona e gërdecit i është nënshtruar një sërë testimesh nga ekspertë vendas dhe të huaj pas tragjedisë së ndodhur më 15 mars 2008 nga shpërthimi që u mori jetën 26 personave, plagosi 300 të tjerë dhe dëmtoi mbi 2500 banesa në disa fshatra. Ekspertët e huaj janë shprehur se përvecc materialeve ushtarake që mund të kenë mbetur nën tokë, zona paraqet rrezik në cilësinë e ajrit dhe të ujit. Ndërkaq specialistët dhe institucionet vendase, pas disa analizave të zhvilluara disa muaj pas tragjedisë, sugjeruan kthimin e banorëve në këtë zonë, pasi pasojat e shkaktuara në mjedis nga tragjedia, ishin rikuperuar. Një sasi e madhe predhash, gëzhojash, baruti e metali ishte grumbulluar në Gërdec pas tragjedisë së ndodhur vitin e kaluar.