E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivalët e vjetër, përballen në Gjakovë

Rivalët e vjetër të futbollit kosovar, Vëllaznimi dhe Prishtina do të përballen në mes vete të dielën në Gjakovë, në kryendeshjen e xhiros së 13-të të Superligës së futbollit. Kuqezinjtë janë të vendosur t’i japin fund dominimit të viteve të fundit të bardhekaltërve në stadiumin e tyre, ndërsa kampioni në fuqi synon të rikthehet në kryeqytet me rezultat të favorshëm.

Dy rivalët e moçëm të futbollit kosovar, Vëllaznimi dhe Prishtina do të ballafaqohen në mes vete të dielën në Gjakovë, në kryendeshjen e xhiros së 13-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Gjakovarët janë të vendosur t’i japin fund dominimit të prishtinasve në fushën e tyre në vitet e fundit. Në ndeshjen e sotme, ata do t’i drejtojnë dy trajnerët Ekrem Radoniqi dhe Fatos Brahushi, që do ta zëvendësojnë kryetrajnerin Malësor Gjonbalaj, që ka rast vdekjeje.

Futbollisti Robert Gjeraj beson se më në fund Kuqezinjtë do t’i mbajnë në shtëpi të tria pikët ndaj bardh e kaltërve.

“Jemi përgatitur maksimalisht, si për çdo ndeshje. Mendojmë të shënojmë fitore. Nuk kemi fituar moti ndaj Prishtinës, prandaj jemi të motivuar që ta bëjmë një gjë të tillë. Prishtinasit, përpos humbjes, s’kanë çka kërkojnë tjetër në Gjakovë. E kemi mbrojtjen më të mirë dhe nuk besoj se do të pësojmë gol”, tha futbollisti prizrenas, i cili tregon se nëse gjakovarët fitojnë, do t’ia kushtojnë atë trajnerit të ri Gjonbalaj, për t’ia zbutur sadopak mërzinë.

Në anën tjetër, prishtinasit shkojnë në Rrafshin e Dukagjinit për ta vazhduar serinë e rezultateve pozitive të viteve të fundit atje.

“Kemi punuar mirë dhe do të mundohemi ta kryejmë këtë gjysmë sezoni në mënyrë pozitive. Janë dy ekipe me rivalitet të kamotshëm. Pres një lojë të hapur dhe të bukur për sy, për t’i kënaqur shikuesit e pranishëm në stadium. Nuk kërkojmë me çdo kusht fitore”, deklaroi ndihmës trajneri i Prishtinës, Ali Osmani.

“Do të mundohemi që me angazhim maksimal dhe me përkushtim të madh ndaj Vëllaznimit, ta nxjerrim një rezultat pozitiv dhe të favorshëm për ne”, shtoi kapiteni Azem Ahmeti.

Raiffeisen Superliga – Java XIII

E diel

Vëllaznimi – Prishtina 13:00

Drita – Hajvalia 14:00

Trepça ’89 – Hysi 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›