Trepça dorëzohet në Pejë
Skuadra pejanë i është gëzuar trepikëshit të ri falë golave që shënoi në pjesën e dytë.
Në minutën e 67-të, Diar Miftaraj shënoi nga penalltia, pasi më parë Egzon Gashi u ndal në mënyrë të palejueshme në zonë të rreptësisë nga Lavdim Baliu.
Vetëm dy minuta më pas, Jusuf Sabotic e shtoi avantazhin e vendësve, me ç’rast ia siguroi një fitore të vlefshme ekipit të Miftar Ramës.
Drenica – Ferronikeli 2:2
Drenica nuk fiton assesi. Edhe pse ishte në avantazh prej dy golash, skuadra kuqezi nuk ia doli ta gjejë fitoren pas 12 javësh, në duel me Ferronikelin, në derbin lokal, ku u shënuan katër gola në pjesën e dytë.
Berat Hyseni e ka kaluar në avantazh të dyfishtë ekipin e Tahir Lushtakut, pas golave të shënuar në minutën e 49-të dhe atë të 75-të, por ekipi i tij nuk arriti ta ruajë këtë avantazh deri në fund të ndeshjes.
Debutuesi i Superligës e befasoi Drenicën në minutat e fundit. Fillimisht Fidan Gërbeshi e ngushtoi rezultatin në minutën e 84-t, kurse Fitim Haliti barazoi gjithçka në minutën e 87-të, për t’ia sjell një pikë të vlefshme ekipit gjelbër e zi.