Rivaliteti i klubeve shkatërron Anglinë

Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Scholes beson se rivaliteti i ashpër i klubeve do të pengojë shanset e Anglisë për sukses. 36-vjeçari, tani në rol teknik në Old Trafford, u pensionua nga futbolli ndërkombëtar më 2004.
Por, ai bëri të ditur se ekzistonte një atmosferë e dyshimeve mes futbollistëve nga klubet rivale gjatë kohës sa ai ishte pjesë e ekipit. “Ekziston një rivalitet i madh mes klubeve në Angli dhe nuk është gjë e shëndoshë kur shkoni në detyrë ndërkombëtare”, tha Scholes për Sunday Mirror.
“Kur unë isha me Anglinë, kishte shumë futbollistë nga Manchester Unitedi dhe Liverpooli. Ishte e qartë se disa prej djelmoshave tanë nuk pëlqenin disa të tyre dhe anasjelltas. Ne nuk ishim vetëm futbollistë, ne ishim të dashuruar në klubet ku luanim dhe rivaliteti ekzistonte gjithmonë. Ne gjithmonë kishim një dozë dyshimi për njëri-tjetrin dhe nuk duhet të keni këso gjëra nëse dëshironi të jeni të suksesshëm në shkallën ndërkombëtare. Ju nuk mund të ndërtoni një ekip ose një shpirt kur rivaliteti është gjithmonë prezent. Ishte gjithmonë tepër i madh për t’u tejkaluar”, përfundoi Scholes.