E Diel, 1 Nëntor 2026

Griselda: E bëra që burri im të ndjejë keqardhje për mua

03/06/2011  Dëshmia e plotë. Nuk lindja dot fëmijë,

me Elvisin grindesha për këtë problem

TIRANE-“Jam shumë e tronditur, të më falni, e bëra vetëm për bashkëshortin tim, që ai të ndjente keqardhje për mua, pasi nuk ishte në gjendje të më kuptonte për vështirësitë që kisha në lindjen e një fëmijë”. Me këtë fjali tronditëse ka nisur të dëshmojë para një oficereje të Krimeve të Rënda, dy prokurorëve Enrik Ligori, Njazi Seferi dhe një psikologeje Griselda Roshi (Zajmi), bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, e cila me historinë e saj imagjinare mbajti pezull frymën e shqiptarëve për 24 orë me radhë. E pikëlluar dhe e lodhur psikologjikisht nga ajo që kishte ndodhur, 28-vjeçaria ka treguar se ngjarjen në fjalë nuk ka dashur ta denoncojë në organet e rendit, por kunati i saj Saimir Roshi ka këmbëngulur duke njoftuar policinë për një histori imagjinare, sikur nusja e vëllait të tij ishte rrëmbyer duke e detyruar më pas të lindë fëmijën 9 muajsh. Në fakt sipas protagonistes së kësaj skeme, këtë histori ajo ja ka treguar kunatit, i cili e ka besuar plotësisht dhe menjëherë ka vënë në alarm policinë dhe Prokurorinë. Gazeta “Metropol” ka arritur të sigurojë dëshminë e Griselda Roshit dhënë në Prokurori në të cilën ajo tregon: “Jam martuar me shtetasin Elvis Roshi. Këtë martesë nuk e kemi lidhur në gjendje civile, por qëndrojmë “de fakto” të martuar. Prej disa vitesh qëndroj në banesën e burrit tim në Kavajë. Gjatë kësaj kohe kemi pasur shumë debate, për shkak se unë nuk mund të ngelesha shtatzënë. Grindjet dhe konfliktet kanë vijuar, të cilave ju shtuan dhe mungesat e vazhdueshme të Elvisit në shtëpi. Ai herë pas here nuk vinte fare në banesë ose vinte shumë vonë në darkë. Unë qëndroja gjithmonë brenda mureve të shtëpisë, duke dalë fare pak jashtë saj. Gjatë kësaj periudhe mendjen e kisha tek shtatzënia. Gati një vit më pas fillova të shëndoshesha dhe mendova se kisha ngelur shtatzënë. Gjithmonë po ushqeja mendimin se kisha ngelur shtatzënë, pasi kisha dhimbje koke dhe të vjella. Fill pas kësaj po më vinin mendime për të thurur një plan, me qëllim që ta vija bashkëshortin tim në një pozitë, ku ai të ndjente keqardhje për mua dhe të më kuptonte për gjendjen që unë po kaloja. Kështu që shkova në Tiranë, ku banojnë dhe prindërit e mi, por nuk shkova tek ta. Kam takuar një shoqe me iniciale J.T në qendrën tregtare “Kristal” me të cilën kam pirë kafe. Më pas jam larguar me taksi drejt hotelit “Broadway” ku kam pronotuar një dhomë tek hoteli. Gjatë kësaj periudhe kam qenë shumë e tronditur psikologjikisht, ku disa herë më ka shkuar në mendje të kryej vetëvrasje, por që sbëra asnjë veprim. Ashtu siç isha e tronditur në mesnatë kam marrë një taksi dhe kam shkuar në klinikën private “IKEDA”. Gjatë qëndrimit aty kisha të vjella dhe diare. Pasi më kanë bërë serum dhe qëndruar rreth 1 orë e 30 minuta jam larguar sërish në orët e para të mëngjesi. Më pas kam shkuar në Kavajë, ku rreth orës 11:00 kam vënë në dijeni kunatin tim Saimir Roshi, se tre persona me kishin marrë peng dhe pasi më hoqën fëmijën nga barku më lanë të shtrirë në mes të rrugës. Ai ka kërkuar që të njoftonim policinë, por unë skam dashur të bëja denoncim. Ndërsa ai vetë ka marrë iniciativën dhe ka shkuar në polici, ku ka kryer denoncimin mbi historinë imagjinare që i kisha treguar unë.

Akuza, dëshmitarja ka probleme

Gjatë deklarimeve të dhëna para grupit të prokurorëve, këta të fundit kanë kuptuar se 28-vjeçarja ka shfaqur disa herë probleme mendore, pasi nuk ishte në gjendje të lidhte fjalitë duke folur për çart. Hetuesit thanë se ende nuk kanë urdhëruar për kryerjen e një ekspertize psikike, por shtuan se Griselda Roshi (Zajmi) me sy të lirë dukej qartë se kishte tronditje të madhe mendore. Kjo për shkak edhe nga përmasat e mëdha mediatike që ndërmori ngjarja imagjinare, por dhe për haluçilacionet e herë pas hershme që 28-vjeçarja krijonte për shtatzëninë e saj imagjinare. Dëshira për të pasur një fëmijë e ka çuar gruan e kryebashkiakut të Kavajës, të mendojë gjatë për të, duke kaluar më pas në çrregullime mendore që kanë sjellë inskenimin e kësaj historie imagjinare.

Ngjarja, 15 shtetas në përgjim

Plot 15 persona, të afërm, shoqe dhe familjarë të Griselda Roshi (Zajmi) janë vënë në përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. E gjithë kjo nismë është ndërmarrë menjëherë pas alarmit të marrë se tre persona të armatosur kanë marrë peng gruan e kryebashkiakut të Kavajës, duke e detyruar atë të lindë dhe rrëmbyer fëmijën. Ky alarm nuk është nënvlerësuar nga prokurorët, të cilët menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e procedurave, për vënin nën përgjim të personave të dyshuar, si dhe të vetë protagonistëve të kësaj historie, pasi dyshohej se kjo ngjarje ishte një inskenim. Momentalisht që kjo ngjarje është sqaruar dhe kanë dalë motivet dhe shkaqet e vërteta të saj, Prokuroria ka vendosur të tërheqë përgjimin e 15 numrave, duke shuar çdo dyshim që kishte ngritur mbi përdoruesit e tyre.

Babai: Mos eja në Shqipëri është lojë

Biseda e telefonike me

Francën, zbuloi sajesën

Vënia në përgjim e 15 numrave telefonike solli frytet e para lidhur me ngjarjen, ku në orët e mesnatës, prokurorët kanë arritur të pikasin një bisedë telefonike të zhvilluar mes babait të Griselda Roshi (Zajmi) dhe vajzës tjetër që ndodhet në Francë. Në përmbajtje të bisedës telefonike vihej re interesimi i vajzës që ndodhet në Francë, e cila pasi ishte njohur me lajmin se motra e saj është marrë peng dhe që kishte lindur në kushte çnjerëzore, kërkonte më shumë informacion nga babai i saj. E shqetësuar ajo kërkonte të mësonte nëse kjo histori ishte e vërtetë apo jo dhe donte sqarime se çfarë kishte ndodhur realisht. Nga ana tjetër babai saj i ka kërkuar që të qëndrojë e qetë dhe të mos merrte asnjë iniciativë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, pasi motra e saj ishte shumë mirë dhe se gjithçka ka qenë një lojë e saj. Pikërisht në këtë bisedë të kryer në orët e mesnatës, ai i ka garantuar vajzës se e motra e saj Griselda Roshi (Zajmi), i kishte pohuar vetë atij se gjithçka ka qenë një lojë e inskenuar nga vetë ajo. Kaq ka mjaftuar që prokurorët të marrin frymë lirisht, pas gjithë atij preokupimi maksimal dhe vënie në lëvizje të shumë forcave në terren. Me marrjen e këtij informacioni është dhënë urdhër për pezullimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes brenda rrethit familjar të kryebashkiakut të Kavajës. Ndërkohë që më pas dhe në shumë biseda të tjera të kryera mes familjarëve është arritur të provohet se e gjithë ngjarja ka qenë një inskenim e ideuar nga mendja e 28-vjeçares Griselda Roshi (Zajmi).

Mendimi i juristëve

Shumë prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë shprehen se sapo kanë marrë lajmin e bujshëm kanë shfaqur hije dyshimi për sa i përket vërtetësisë së ngjarjes. Ata pohojnë se në mënyrën se si u tregua ngjarja, linte vend për dyshime. Kjo për shkakun e vetëm se ndërmarrja e një veprimi të tillë, kaq horror dhe në mes të ditës e me shumë persona të përfshirë në të, nuk mund të kryhej as nga njerëzit më profesionistë në fushën e krimit që mund të veprojnë në territorin e vendit.

Puna në lokal

28-vjeçaria Griselda Roshi (Zajmi) herë pas here qëndronte në kryeqytet ku ishte e vetëpunësuar në një lokal që ndodhet në zonën e qendrës tregtare “Kristal”. Ky lokal është në pronësi të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi dhe që bashkëshortja e tij ndonjëherë kryente detyrën e menaxheres. Sipas dëshmive të mbledhura, 28-vjeçarja qëndronte shpesh herë aty, por kishte raste që bënte mungesa të gjata.

Ekspertiza në spital

Në orët e paradites së djeshme Griselda Roshi (Zajmi) i është nënshtruar një ekspertize mjeko-ligjore dhe gjinekologjike në ambientet e maternitetit të ri. Nga vëzhgimi i ekspertëve dhe nëpërmjet aparateve teknologjike, ka rezultuar se 28-vjeçarja nuk është shtatzënë. Në këto kushte, për Prokurorinë është përforcuar akoma dhe më tepër bindja se e gjithë ngjarja është krijuar nga mendja e gruas së Roshit.

Roshi kërkon falje

Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, pasi është njohur me konkluzionet e hetimit, ka kërkuar falje publike të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të Kavajës. Në letër ai shprehet se u kërkon falje bashkëqytetarëve të tij kavajas që ndanë me të dhe familjen orët më të vështira të jetës, duke u ndenjur pranë gjatë kohës kur e vërteta për ta ishte fare tjetër nga sa doli. Gjithashtu Roshi u kërkon falje dhe përfaqësuesve të PS-së.

Pushohet procedimi nr. 109

Prokuroria mbyll hetimet

Një ditë pas regjistrimit me aq ngut të procedimit penal nr.109, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur zyrtarisht të mbyllë hetimet. Të gjitha veprimet hetimore që u ndërmorën tashmë mësohet se janë pushuar dhe se momentalisht dosja do arkivohet në sekretarinë e kësaj prokurorie. Hetuesit shprehen se të gjitha motivet e kësaj ngjarje janë zbardhur dhe se nga dokumentimi i plotë i ngjarjes ka rezultuar se nuk ka asnjë element penal që mund të ngrejë dyshime të arsyeshme për pengmarrjen e 28-vjeçares Griselda Roshi (Zajmi). Gjithashtu bie çdo dyshim për heqjen me forcë të fëmijës, çka sjell ndërprerjen e hetimeve dhe pushimin e çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›