E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rizgjedhja, Berisha uron Barroson dhe Hatoyama



Kryeministri Sali Berisha u dërgoi dje mesazhe urimi z. Jose Manuel Barroso, me rastin e riemërimit të tij si President i Komisionit Evropian dhe z. Yukio Hatoyama, me rastin e zgjedhjes së tij si Kryeministër i Japonisë. Në mesazhin drejtuar z. Barroso, Berisha shkruan: “Qeveria shqiptare dhe unë personalisht kemi gjetur te personi Juaj një mik të madh e të shquar të Shqipërisë e të popullit shqiptar dhe një mbështetës të çmuar për realizimin e ëndrrës shekullore, për rikthim e ribashkim në familjen e vlerave të përbashkëta evropiane. Mbetem me bindjen e thellë se edhe gjatë këtij mandati të ri do ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë e të shkëlqyer, që kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve, në interes të së mirës së ndërsjellë të qytetarëve shqiptarë dhe atyre të BE-së”. Më tej Kryeministri vijon mesazhin e tij: “Qeveria e sapokrijuar shqiptare është shpallur si qeveri e integrimit evropian, pasi në themel të vizionit, programit dhe punës së vet, gjatë katër viteve të ardhshme, qëndron projekti madhor kombëtar i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE. Tashmë Shqipëria ka paraqitur kërkesën zyrtare për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe po pret shqyrtimin e saj, me synim marrjen e statusit të kandidatit. Ajo po punon për përmbushjen jo vetëm të kërkesave të udhërrëfyesit, por edhe për ndërmarrjen e hapave të mëtejshme për liberalizimin e vizave. Unë ruaj besim të thellë se Ju, si President dhe Komisioni i ri, që do të drejtoni, do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tona për realizimin sa më të shpejtë të të dyja këtyre objektivave jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›