E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roben konfirmon sherret te Hollanda

E turpshme; tronditëse; e pajustifikueshme. Këto janë vetëm disa prej epiteteve që mund të përkufizojnë zhgënjimin e Holandës në Euro 2012. Nënkampionët e botës u eliminuan që prej fazës së grupeve, pas tre humbjeve në rend kronologjik me Danimarkën, Gjermaninë dhe së fundmi me Portugalinë.

Pavarësisht se ishin një prej skuadrave më të kuotuara dhe yjeve që kishin në kontingjent, “tulipanët” i dhanë lamtumirën e parakohëshme aktivitetit. Kjo ka ardhur mbi të gjitha prej problemeve të brendshme të skuadrës dhe gjithçka pohohet nga Arjen Roben.

“Kishim disa probleme brenda skuadrës megjithatë do të mbajmë gjithçka për vete. Mendoj se provuam gjithçka, por thjesht nuk funksionoi, tha lojtari i Bajernit, që shtoi: “Skuadra kishte uri për të triumfuar, por ne dështuam të gjithë së bashku: stafi teknik, lojtarët, e gjithë skuadra. Ky është realiteti i hidhur dhe tashmë duhet ta shikojmë veten në pasqyrë”.

Atmosfera negative u konfirmua edhe nga Mark van Bomel, që e nisi aktivitetin si kapiten, ndërsa në humbjen 2-1 me Portugalinë qëndroi në stol. 35-vjeçari deklaroi: “Jam kapiteni dhe gjithmonë do ti mbroj lojtarët e mi, megjithatë atmosfera nuk ishte e njëjta si në Botërorin 2010. Nuk e di përse ndodhi kështu, sepse nuk mund të flas për futbollistët e tjerë”.

Trajneri Bert van Marvijk ka bërë “mea culpa” dhe fajëson formën jo të mirë të skuadrës. “Kur shikon moshën e skuadrës, e kupton që nuk mund të bënim më shumë. Ishte një grup i fort dhe e kishim të qartë që kualifikimi do të ishte i vështirë. Gjatë Europianit nuk arritëm të mbanin formën e mirë dhe humbja në ndeshjen e parë shkaktoi pasiguri te skuadra. Jemi të hidhëruar dhe tashmë e kam të pamundur të mendoj për të ardhmen”, tha tekniku “portokalli”.

Uesli Sneijder, një prej lojtarëve të pakët që justifkoi emrin me paraqitjet, nënvijëzoi se “Holanda duhet të vazhdojë me trajnerin Van Marvijk, i cili i ka cilësitë për të punuar sërish me skuadrën dhe i ka zgjidhur si profesionist problemet brenda ekipit”.

Me eliminimin e Holandës vazhdoi trendi negativ në turneun kontinental, ku skuadrat që kanë humbur në finalen e Kupës së Botës, nuk kanë arritur të kalojnë fazën e grupeve në Kampionatin Europian. Kjo është hera e dytë që ndodh me “tulipanët”, ndërsa një zhgënjim të tillë e kanë përjetuar edhe Gjermania Perëndimore, Italia, Gjermania dhe Franca.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›