Te gjithe presin Kroaci-Spanje

Në orën 20:45 do të nisin dy sfida të forta në Grupin B, por e vërteta është që njëra prej tyre ka një ngarkesë sportive dhe emocionale mbi gjithçka. Kroacia dhe Spanja do të ndeshen në Arenën e Gdanskut dhe aty do të luajnë fatet e tyre, por ndoshta edhe destinin e Italisë.
Dy ekipet janë gati, në formë të mirë dhe me moral të lartë, ndonëse kampionet e Botës dhe të Europës kuptohet që vlerësohen më lart sesa lojtarët që vishen me fanelat me kuadratet e shahut.
Italia luan ndaj Irlandës në Poznan, por e ka një sy në Gdansk. Nëse do të ketë një fitues mes ballkanasve dhe iberikëve, atëherë Italia do të kualifikohet si e dyta e grupit, gjithnjë nëse fiton ndaj irlandezëve. Nëse Kroaci-Spanjë përfundon barazim 0-0 apo 1-1, sërish italianët kalojnë me një fitore.
Por, nëse ndeshja në Gdansk del barazim me më shumë gola se 1-1, atëherë të kaltrit e Prandelit duhet të bëjnë valixhet gati e të kthehen në shtëpi.
Nga Spanja lajmërojnë se pikërisht tani, trajneri Visente Del Boske ka zgjatur kontratën deri pas Botërorit të vitit 2014 në Brazil. Një lajm që sjell qetësi.
Ndërkaq, opinioni intrigohet nga spekullimet se dy ekipet mund të merren vesh për një barazim 2-2 që do të eleminonte italianët. Trajneri kroat, Sllaven Biliç shprehet i ofenduar dhe jep siguri.
“Ne jemi besimtarë dhe nuk është e mundur të besosh në Zot dhe të bësh gjëra të tilla, - theksoi trajneri kroat, - Ndihem keq që duhet t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Dua t’u siguroj ju gazetarët, të siguroj Italinë dhe gjithë Europën që të jenë të qetë. Atë pjesë të trurit për fiksim ndeshjeje, ne nuk e kemi. Por, çfarë mund të themi nëse del 2-2? Nuk bëhet fjalë për 7-7! 2-2 është një rezultat i mundshëm” deklaroi trajneri.
Historia flet pak më shumë spanjisht, me 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje për “furitë e kuqe”. Krocia nuk i mund që nga viti 1994, por ballkanasit nuk janë nga ata që tremben. Biliç, që e ka nisur karrierën në stol me ndeshjen ndaj kampionëve të botës të vitit 2006, italianëve, nuk dëshiron ta mbyllë ndaj kampionëve aktualë të botës.