E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetëra mësues kalojnë nga gjimnazet në shkollat nëntëvjeçare

Ndryshimi i sistemit arsimor duket se do të sjellë ndryshime edhe në radhët e mësuesve. Kjo, pasi një përqindje e konsiderueshme e mësuesve të gjimnazeve do të kalojnë në shkollat nëntëvjeçare. Ndërkohë që ende është në fuqi udhëzimi që kategorizon mësuesit në bazë të shkollës ku japin mësim, e si pasojë i rendit ata me pagë më të ulët se në shkollat e mesme të vendit.

Tiranë

Në Tiranë mësuesit e gjimnazeve do të japin mësim në klasat e nënta si një sistem tranzitor për në shkollat e mesme, sipas drejtoreshës së arsimit, znj. Arjana Bekteshi. Drejtoritë Arsimore rajonale të udhëzuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë vendosur që mësuesit e gjimnazeve të japin mësim në klasën IX, përmes disa kritereve që do të vendosen nga DAR, me synim që kalimi nga arsimi bazë në atë të mesëm të jetë sa më i thjeshtë për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Si rrjedhojë, për këta nxënës nuk do të ketë më vit të parë shkollor. Lidhur me shkurtimin e vendeve të punës së mësuesve, si një çështje mjaft e diskutuar në opinionin publik, Bekteshi siguroi se “asnjë mësues nuk do të mbetet pa punë, të gjithë do të sistemohen brenda sistemit arsimor parauniversitar”.

Durrës

Ndryshimet në sistemin arsimor duket se po zbatohen konform kritereve profesionale edhe në Durrës. Një numër fare i vogël mësuesish të ciklit të arsimit të mesëm në rrethin e Durrësit do të kalojnë në arsimin 9-vjeçar gjatë vitit shkollor 2008-2009. Këtë sezon për herë të parë gjimnazi bëhet me 3 vjet, ndërsa cikli i ulët me 9 vite.

Shkak për moslëvizjen e mësuesve të gjimnazit në ciklin 9-vjeçar ka qenë nevoja që ka arsimi i mesëm. Gjatë kësaj vere që shkoi, Drejtoria Arsimore e Durrësit kreu një studim për t’iu përgjigjur ndryshimit të sistemit arsimor, i cili do të ndodhë këtë vit mësimor e që është në prag të nisjes së tij. Studimi i Drejtorisë Arsimore kishte të bënte me kthimin në normalitet të procesit të mësimdhënies nëpër gjimnazet e Durrësit.

Vaso Papaj, drejtori i Drejtorisë Arsimore të Qarkut të Durrësit, deklaroi për “standard” se “për disa vjet me radhë klasat mësimore në shkollat e mesme të Durrësit kanë qenë të mbingarkuara me nxënës. Një klasë ka pasur nga 50 nxënës mesatarisht, e cila është jashtë të gjitha normave të vendeve të Evropës.

Me ndryshimin e sistemit arsimor, ne kryem një studim sipas të cilit këtë vit klasat nëpër gjimnaze do të kenë nga 34 apo 35 nxënës”. Ky ndryshim numerik nxori nevojën për më shumë mësues, gjë që parandaloi kalimin e tyre në ciklin 9-vjeçar. Këtë sezon numri i mësuesve të gjimnazeve, që do të kalojnë në 9-vjeçare është vetëm 20.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›