E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Turistët janë dhjetëfishuar në Shqipëri

Turistët që kanë vizituar vendin tonë e kanë kaluar shifrën me qindra mijë. Tashmë turistët në vendin tonë numërohen me milionë. Mbi 2 milionë të tillë kanë hyrë në vendin tonë vetëm në 8 muaj dhe mbi gjysmë milionë mendohet të hyjnë në muajt që kanë mbetur. Ministri i Turizmit, z. Ylli Pango, në një konferencë për shtyp theksoi se numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-gusht 2008 është rreth 2.089.583 persona. Duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë hyrë

390.739 vizitorë më shumë që do të thotë një rritje 23% më shumë se 2007, ndërsa në krahasim me 2004 ky numër përbën rreth 10-fishin e numrit të turistëve.

Kjo shifër në vitin 2007 u arrit në 31 dhjetor. Sipas tij, numri i përgjithshëm i vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti është 2.089.583, ose rreth 400 mijë më tepër se vitin e kaluar. “Këto shifra, -tha Pango, - janë publikuar nga misioni CITAP, i cili merret edhe me të dhënat statistikore për lëvizjen e njerëzve brenda dhe jashtë vendit”. Ministri Pango theksoi ndër të tjera se këtë vit është bërë një promocion i fuqishëm dhe janë përgatitur 10 guida si “Albanian Guide” me mbi 500 faqe. Për herë të parë, vijoi ai, turizmi shqiptar u promovua nëpërmjet një spoti, i cili u shfaq në kanalin prestigjioz televiziv CNN, ndërkohë që së shpejti mbarojnë procedurat për spotin në “Euro News”. Gjithashtu, informoi z. Pango, është paraqitur edhe shfaqja e spotit rajonal të turizmit shqiptar “Pasioni Shqiptar” në Kosovë dhe Maqedoni, si dhe projekti i 40 haneve që përfshin paketa turistike për shtëpi karakteristike në Theth, Valbonë, Kelmend, Pukë (për sa i përket turizmit malor). Ai theksoi se gjatë këtij viti ka pasur jo vetëm bum turistik, por edhe bum investimesh në trashëgiminë kulturore. Ai bëri me dije se aplikohet dhe fitohet nga MTKRS pranë KE-së projekti me vlerë 3 milionë euro për restaurimin e kalave mesjetare: Kalaja e Himarës, Kalaja e Tiranës, Kalaja e Krujës. Po kështu aplikohet dhe fitohet nga MTKRS pranë qeverisë spanjolle projekti me vlerë 3.26 milionë euro, i cili do të përdoret për Muzeun Kombëtar dhe në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit artizanal në vendin tonë. Vlera totale e investimeve nga buxheti i shtetit për vitin 2008 në monumentet e kulturës rreth 305 milionë lekë. Z. Pango shtoi gjithashtu se këtë vit nuk është shënuar asnjë incident apo aksident tek pushuesit e huaj.

Sipas të dhënave nga Misioni ICITAP (Departamenti i kufirit dhe Emigracionit në Drejtorinë e Policisë se Shtetit) për periudhën janar-gusht 2008 janë përmirësuar krahasuar me një vit më parë. Kështu rezulton se vizitorë të huaj janë 984.083 nga të cilët: 56.732 janë vizitorë ditorë (ekskursionistë) ndërsa 927.351 janë vizitorë me net qëndrime (turistë). Vizitorë me nënshtetësi shqiptare, të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme (që sipas Organizatës Botërorë të Turizmit llogaritën si turistë) janë rreth 1.105.500 persona. Periudha janar-gusht 2008, duke e krahasuar me 2007 ka 23% rritje të numrit të vizitorëve të huaj dhe krahasuar me vitin 2005 rritja është 80%. Sipas qëllimit të udhëtimit, raporti në përqindje është 85% për pushime, 6% për biznes, 6% vizitorë ditorë dhe 3% të tjera. Numrin më të madh të vizitorëve të huaj e bëjnë evropianët 92%, më pas amerikanë, aziatikë dhe të tjerë me respektivisht 5%, 2%, dhe 1%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›