E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja vret shtetasin, donte të hynte në fabrikë

11/11/2009  Viktima, 46-vjeçari Bashkim Bajri. Kapet autori Nilson Sokoli 21 vjeç

SHKODER- Shtetasi 46-vjeçar Bashkim Bajri, lindur e banues në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës ka gjetur dje vdekjen pas një konflikti me rojën e një ndërmarrje private. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:45, në ambientet e brendshme të fabrikës private të rrobaqepësisë “Rubin”. Shtetasi Bajri ka pasur një konflikt banal me rojën e kësaj fabrike dhe më pas është qëlluar nga ai me një armë tip automatik kallashnikov. Plumbat e kanë plagosur rëndë shtetasin Bajri, i cili është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës nga punonjësit e fabrikës. Mjekët kanë ndërhyrë për ta mbajtur në jetë shtetasin Bajri, por plagët e rënda ia kanë marrë jetën pas 30 minutash. Ndërkohë autori i ngjarjes 21-vjeçari Nilson Sokoli është larguar menjëherë nga fabrika, por është kapur 40 minuta më pas në vendin e njohur si kodrat e Bardhajve, në rrethinat e qytetit të Shkodrës, teksa po tentonte të largohej për të mos rënë në duar të bluve. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit mes shtetasve Nilson Sokoli, i cili punonte si roje në fabrikën “Rubin”, dhe shtetasit Bashkim Bajri, që donte të hynte në fabrikë. Burime policore sqarojnë se shtetasi Sokoli ka pohuar gjatë marrjes në pyetje se nuk ka qëlluar për ta vrarë shtetasin Bajri, por vetëm për ta trembur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›