Bllokohet edhe buxheti i Bashkisë së Durrësit
Pas Tiranës, edhe buxheti i Bashkisë së Durrësit është bllokuar nga votat e shumicës së këshilltarëve. Pas diskutimeve të gjata nga të gjitha grupet e këshilltarëve, votat e këshilltarëve të djathtë, që përbëjnë shumicën, kanë bërë që të dështojë miratimi projektbuxhetit për Bashkinë e Durrësit për vitin 2009. Këshilltarët e djathtë kishin planifikuar të kërkonin nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako, dhe administrata e tij, llogaridhënien për realizimin e të ardhurave dhe fondeve të investimeve për vitin 2008, si dhe tepricat e parave të cilat duhej të përdoren sipas ligjit për vitin 2009. Sipas kreut të këshilltarëve demokratë, Seit Kërtusha: “Argumenti ynë mbetet logjik dhe jo tendencioz, ne kërkuam nga z. Dako dhe administrata e tij të dinim në detaje si janë përdorur dhe si janë realizuar projektet e investimeve të vitit 2008 dhe sa para kanë mbetur nga ai vit për buxhetin e vitit 2009. Kjo gjë nuk u pranua nga ata, ndaj ne vendosëm ta shtyjmë mbledhjen në një datë tjetër, pa dyshim brenda afatit të fundit që është sipas ligjit data 31 mars 2009”. Por i menjëhershëm ka qenë gjatë diskutimeve edhe reagimi i këshilltarëve majtistë, të cilët janë në pakicë, dhe i kreut të bashkisë, Dako. Sipas tij: “Ky vendim ka vetëm motivin politik dhe asgjë tjetër, sepse projektbuxheti i vitit 2009 është konform ligjit, ndaj dhe kërkesa e shumicës djathtiste është pa vend”. Dako tha për “standard” se “shmangia nga rendi i ditës i miratimit të projektbuxhetit për vitin 2009, është politik dhe dëmton qytetin dhe interesat e qytetarëve durrsakë, për sa i përket kërkesës së shumicës djathtiste. Ata, mendoj, se janë njohur me çdo detaj të investimeve, ishte vetëm pretekst nga ana e tyre, asgjë më tepër”. Dako tha: “Në qoftë se nuk votohet edhe mbledhjen e radhës, e cila është e dyta sipas ligjit, atëherë duhet të kalohet në zgjedhje të reja për ta rinovuar KB-në”.
Ecuria e mbledhjes
Mbledhja e KB-së e cila kishte në rendin e ditës vetëm diskutimin e miratimin e buxhetit të vitit 2009, ka zgjatur mbi 4 orë, por qysh në fillim nga shumica e djathtë u kërkua “heqja nga rendi i ditës e pikës mbi diskutimin dhe miratimin e buxhetit për vitin 2009, pasi duhet më parë të dëgjojmë nga specialistët e bashkisë relacionin e shpenzimeve për të ardhurat dhe realizimin e vitit 2008 dhe taksat e mbledhura për atë vit”. Kurse nga ana e këshilltarëve socialistë, nga Gazmir Bizhga, u kërkua “vazhdimi normal i mbledhjes me rendin e ditës, miratimin e buxhetit të vitit 2009”. Por pas diskutimeve, të cilat u ndezën gjatë deklaratave të dy kryetarëve të grupeve PD-PS, duket se me shumicë votash, këshilltarët demokratë dhe aleatët e tyre kanë mundur ta heqin nga rendi i ditës diskutimin e projektbuxhetit 2009, duke vendosur si afat paraqitjen e tij në një ditë dhe datë tjetër, e cila duhet caktuar brenda 31 marsit 2009.
Reagimet
Pas votimit kanë reaguar edhe kryetari i bashkisë Dako dhe kreu i këshilltarëve të PD-së, shumicë në KB, Seit Kërtusha. Sipas Dakos: “Projektbuxheti që paraqitëm sot ne, është në përputhje me ligjin, është diskutuar me grupet e interesave dhe janë përfshirë të gjitha prioritetet që ka sot Durrësi, qytetarët e tij për vitin 2009. Veprimi i këshilltarëve demokratë është veprim politik, por që dëmton interesat e komunitetit”. Dako tha: “Një veprim i njëjtë me këtë edhe në mbledhjen e dytë, do të thotë rinovim të KB-së, pra duhet kaluar në zgjedhje të parakohshme”. Nga ana e tij, Kërtusha deklaroi për “standard”: “ Ne nuk kërkuam asgjë më tepër nga sa thotë ligji dhe kërkojnë edhe qytetarët e Durrësit, pra të dimë ne dhe ata se si dhe ku kanë shkuar paratë e investuara nga taksapaguesit, kjo pa dyshim mbetet jo vendim politik, por mendim dhe vendim qytetar, nuk duhet abuzuar me lojëra fjalësh, por duhet vepruar në dobi të interesave të komunitetit dhe duke zbatuar ligjin”. Mbledhja e ardhshme pritet të caktohet javën e parë të marsit, nga e cila pritet një tjetër debat mes dy grupimeve kryesore në KB lidhur me buxhetin e vitit 2009, por pa dyshim duke mos hequr dorë këshilltarët e PD-së nga raportimi i administratës së bashkisë për realizimet e vitit 2008 dhe pastaj diskutimi dhe miratimi i buxhetit 2009.
Godo në Durrës: Kriza e medikamenteve kaloi
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka shfrytëzuar analizën vjetore të spitalit rajonal në Durrës për të deklaruar se qendrat shëndetësore në të gjithë vendin e kanë tejkaluar krizën e medikamenteve. Sipas saj, ditët e fundit mbeten për t’u pajisur me ilaçe edhe disa pavijone në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në mënyrë që të plotësohen të gjitha nevojat. Më pas, Godo ka vijuar takimin me mjekët e spitalit të Durrësit, ku dhe ka theksuar se sistemi shëndetësor tashmë është futur në një fazë të re. Sipas saj, reformat që përkojnë me vetë menaxhimin e fondeve nga vetë stafet mjekësore, do të rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor.