E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma pret Juventusin sonte ne Olimpiko

Muret e kështjellës së vet nuk është se i japin ndonjë garanaci për këtë ndeshje. Kjo sepse në “Olimpiko”, Roma ka përjetuar kaq shumë zhgënjime përballë Juventusit, kundërshtarin që do ta ketë sërish të ftuar në kryeqytet në orën 20:45.

Shifrat flasin vetë, dy humbje radhazi dhe pesë të tilla në 6 takimet e fundit, në të cilat nuk njeh asnjë fitore. Suksesi i fundit, gjithsesi tepër i famshëm, ka qenë ai 4-0 në 8 shkurt 2004, ndeshja që mbahet mend për gjestin me katër gishta të Totit ndaj Del Pieros, por që ka mbetur kaq prapa në kohë. Për të vazhduar me menunë e shifrave, në favor të Juventusit flet fakti se Roma ka arritur vetëm një fitore në 11 ndeshjet e fundit në “Olimpiko”, madje duke pasur 6 humbje.

Për trajnerin e ri roman, Montela, Roma duhet ta mundë Juven, ndërsa të dyja skuadrat duan pikë. “Na duhet fitorja sepse synojmë vendin e katërt në renditje”, - thotë ish-sulmuesi që ka zëvendësuar Ranierin në stol. Kolegu i tij, Luixhi Del Neri, kërkon edhe ai 3 pikë që i quan jetësore. “Që të shkojmë në Europë na duhen 3 pikët sot, por në ndeshjet e mëdha jemi mësuar të luajmë siç duhet”, - shprehet ai me besim.

Veçse, kushtet në të cilat dy skuadrat vijnë në këtë takim janë krejt të ndryshme, sepse Roma nuk ka thuajse asnjë problem, ndërsa Juventus plot. Për verdhekuqtë, i vetmi lojtar në dyshim është portieri Zhulio Serzhio, ndërsa në kampin juventin infermieria nuk ka vende të lira. Martinez, Kielini, Rinaudo, Sisoko, Kualjarela, Iakuinta, De Çelje, Del Piero dhe Traore ose nuk luajnë ose kanë fare pak shanse që të jenë në fushë.

Një klimë kjo që i jep një dorë Romës për të arritur një fitore, një nga ato rezultate aq të rrallë ndaj Juventusit në “Olimpiko”.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›