E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e fushatës së demokratëve, sulm kryebashkiakut kryesocialist në pikat e dobëta të tij

Lejet e ndërtimit kryqëzojnë  Ramën në turin elektoral të demokratëve 
Me fillimin e turit të tyre elektoral, deputetët demokratë si kryefjalën e deklaratave të tyre kanë pasur sulmin ndaj kryetarit të opozitës, Edi Rama. Ditët e fundit është vënë re që mazhoranca në çdo takim të zhvilluar nëpër rrethe ka sulmuar liderin socialist, dhe njëkohësisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Çdo deputet demokrat, në akuzat e tij ndaj Ramës ndalet pikërisht tek lejet e ndërtimit dhe tek bashkia. Duket sikur të gjithë demokratët kanë përpara tyre të njëjtin fjalim, e kur vjen radha për sulmin ndaj politikës së majtë, përqendrohen tek bashkia e Tiranës, e cila ka 70% të buxhetit të pushtetit lokal në gjkithë Shqipërinë. Kjo është një taktikë e mazhorancës për të sulmuar pikat e dobëta të kryetarit Rama. Akuzat e ashpra ndjekin njëra- tjetrën, dhe dita- ditës ato përforcojnë idenë tek çdo shqiptar, se lideri socialist Edi Rama përdor në mënyrë të vazhdueshme rolin e tij si kreu i bashkisë për të përfituar votën e çdo kryeqytetasi. Akuzat më të fundit janë lëshuar ditën e djeshme nga kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, ministri i Ekonomisë Genc Ruli si dhe nga deputeti demokrat, Astrit Patozi. Të tre këta të fundit kanë qenë në tre qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe kanë përcjellë tek banorët e këtyre vendeve, idenë se kryebashkiaku i Tiranës shfaq në vetvete disa pika të dobëta. Me sulmet e Topallit ndaj Ramës jemi hasur edhe më përpara, por duke u ndalur tek sulmi i djeshëm veçojmë se kryetarja e parlamentit nga Postriba e Shkodrës, u është drejtuar banorëve me akuzat se Edi Rama nuk ka asnjë koncept, përveç atij të lejeve të ndërtimit. A mbani mend gjatë gjithë dialogut të Edi Ramës në Shqipëri apo nga inciklikat e Edi Ramës, mbani mend ju të ketë thënë ndonjë koncept, një frazë, të ketë dhënë një ide, të ketë thënë një fjalë që ka mbetur në mendjen tuaj? Dhe a dini pse nuk mbani mend asnjë frazë? Sepse ai nuk ka asnjë koncept dhe asnjë ide. Me përjashtim të një koncepti, të konceptit të lejeve të ndërtimit, është shprehur kryeparlamentarja. Ndërsa për ministrin Ruli, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama gjithë bizneset nga veriu në jug, do ti kthejë në nënkontraktore të bizneseve të veta, ku sipas tij lejet e ndërtimit në Tiranë, nuk mund të merren pa Mano Kaleshin, sekserin e Ramës. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij në Qesarat dhe Kurvelesh të rrethit Tepelenë, ministri Ruli duke folur për politikën e re, ka sulmuar Edi Ramën që sipas tij mbetet një ambicioz i ri, një karrierist i ri por kurrsesi një politikan i ri. Edi Rama në grazhdin e së majtës ka ngrënë, ndërkohë që tani nuk njeh askënd, por po na bën politikë të re. Politika e re është ajo që i shërben më mirë qytetarit për shkolla, arsimimin e fëmijëve  dhe që e afron më shpejt me Europën. Politika e Ramës nuk është politikë e re, por "Uri e re" për të ndarë pasurinë e vendit. Huqi i vjetër nën një lëkurë të re nuk është zgjidhje, ka theksuar Ruli. Po të njëjtin mendim, ka ndarë edhe deputeti demokrat Astrit Patozi me banorët e Kavajës. Sipas tij vota për opozitën do ta kthente vendin në model të korrupsionit dhe monopoleve. Fenomene këto që sipas tij, vazhdojnë të karakterizojnë socialistët dhe kryetarin e tyre Edi Rama. Kjo opozitë është opozita e lejeve të ndërtimit, e korrupsionit të fasadave dhe vota për ta do të ishte votë për të kthyer korrupsionin, ka theksuar ai duke shtuar se kriza e vetme në Shqipëri është në kampin e majtë dhe kjo krizë quhet Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›