E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare: Lot gëzimi për trofeun e parë me Lacio

 

Një Igli Tare në qiellin e shtatë. Fitorja e Kupës së Italisë ka entuziasmuar pa masë shqiptarin, i cili së bashku me trajnerin Delio Rossi ka derdhur lot gëzimi pas përfundimit të takimit. Këto çaste Tare i ka sjellë edhe një herë në një intervistë për mediat italiane.
Më në fund mbërrin edhe trofeu i parë i epokës Lotito...
Është një trofe shumë i rëndësishëm për ecurinë e kësaj shoqërie. E kemi pasur si objektivin tonë primar dhe më vjen mirë që arritëm ta fitonim.
Me Kupën e Italisë në xhep duket sikur Lacio nuk ka asgjë tjetër se çfarë të pretendojë nga ky kampionat....
Jo, ne do të respektojmë deri në fund kampionatit. Ka shumë skuadra, të cilat varen nga serioziteti ynë, për të rregulluar ose jo pozitat e tyre në renditje, ndaj do të shkojmë në Palermo këtë fundjavë me pretendimin e marrjes së tri pikëve.
Presidenti Zamparini (Palermo) e ka thuajse injoruar kupën “Uefa”, duke e krahasur me fitimin e një bananeje në llotari. Ju si mendoni?
Nuk jam aspak dakord me presidentin Zamparini. Natyrisht që gjithkush ka të drehjtë të shikojë apo të krahasojë në një mënyrë apo në një tjetër trofetë, por sipas mendimit tim çdo trofe ka rëndësinë e vet.
Sipas jush, Palermo e Ballardinit mund të arrijnë kualifikimin për në kupën “Uefa”?
Palermo ka një organikë shumë të pasur, e cila drejtohet nga një trajner mjaft i mirë. Po bën një kampionat dinjitoz dhe ka të gjitha mundësitë për të besuar në një pjesëmarrje në Kupat e Evropës. Në përbërje ka disa futbollistë të mirë si Liverani, Cavani e Miccoli, të cilët vlerësohen shumë për çfarë i kanë dhënë kampionatit me Palermon.
Si i intepretoni lotët e Delio Rossit pas fitimit të Kupës së Italisë?
Qau sepse arritëm të bënim tonin një trofe, që e prisnin prej kohësh. Një trofe që do t’i japë jetë një projekti të nisur nga ne për një Lacio dinjitoze në Evropë. Kemi kaluar momente shumë të vështira këtë sezon ndaj ky trofe ishte si një çlirim dhe qetësi shpirtërore për të gjithë.
Sipas jush Rossi do të qëndrojë tek kjo skuadër edhe sezonin tjetër?
Unë mendoj se po.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›