E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ronaldinjo: Dua shumë trofe

12/05/2005  Sulmuesi brazilian, Ronaldinjo, ka theksuar se ai i ka plotësuar të gjitha objektivat që i kishte vendosur vetes në kohën, kur erdhi te Barcelona dhe ka përsëritur se me katalanasit “kërkon të bëjë historinë dhe të fitojë sa më shumë tituj”. Mesfushori është shumë pranë trofeut të parë në Primera Division. Gjithsesi, ai ka theksuar se nuk do të fillojë festimet, derisa të ketë përfunduar kampionati. Nga ana tjetër, Ronaldinjo është shprehur se kur të largohet nga Barcelona, do të kujtohet si një lojtar që ka fituar shumë tituj. “Tashmë jam shumë pranë titullit tim të parë, dua të vazhdoj në këtë rrugë dhe kur të largohem dua të jem një nga lojtarët që ka fituar më shumë me Barcelonën”- ka siguruar braziliani, i cili mendon se skuadra nuk mund të fillojë festimet, derisa të ketë siguruar matematikisht titullin. “Unë nuk ndihem kampion dhe nuk do të ndihem i tillë deri ditën, kur të ngremë trofeun. Duhet shumë pak, por nuk jam i tillë”- ka deklaruar më pas Ronaldinjo. Nga ana tjetër, ai ka pranuar se skuadra ka pasur shumë ndryshime gjatë këtij viti. “Gjatë sezonit të parë kisha më tepër mundësi për të shënuar gola dhe kjo më ka dhënë më tepër siguri, ndërsa tani mendoj më tepër për skuadrën dhe këtë gjë e kanë vënë re edhe të tjerët”- deklaroi ai. “Të gjitha objektivat e mia janë përmbushur. Gjatë vitit të parë desha të ecnim mirë në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që tashmë jemi shumë pranë titullit” -shpjegoi ai. Nga ana tjetër, braziliani ka sqaruar se ishte më e vështirë, sepse duhej të përshtatej me një ambient të ri. “Tashmë të gjithë e dinë se ku mund të arrijmë. Ne filluam të fitonim dhe kjo na dha më tepër qetësi, ndërkohë që vitin e kaluar ishim nën presion të madh. Këtë vit kam luajtur më mirë dhe kam qenë shumë i kënaqur në skuadër”- ka treguar ai. “Jemi një nga ekipet më të fortë dhe këtë gjë e treguam edhe në ndeshjen e kaluar kundër Valencias”- vazhdoi më pas Ronaldinjo. Në fund, ai është shprehur në lidhje me deklaratat e Diego Armando Maradonës, i cili ka qenë për vizitë në Spanjë dhe ka shprehur dëshirën për t’u takuar me Ronaldinjon. Nga ana tjetër, braziliani ka falenderuar Maradonën për lavdërimet e tij. “Kur diçka e tillë të thuhet nga Maradona, atëherë merr një domethënie të veçantë. Kjo më motivon për të vazhduar të stërvitem shumë dhe të qëndroj në këtë nivel. Edhe për mua do të ishte bukur të bisedoja me të. Le të shohim çfarë do të ndodhë”- përfundoi Ronaldinjo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›