Kapelo sheh te ardhmen
Vendi është i madh, me popullsi të rëndësishme dhe sipërfaqe të pamasë. Fabio Kapelo, trajneri i ri i Rusisë, e di traditën sportive të këtij supershteti, por gazetarët shqetësohen dhe e pyesin sesi ka mundësi që rusët nuk janë kualifikuar për në dy botërorët e fundit, në Gjermani e Afrikë të Jugut. Trajneri italian duket i qetë.
“Mendoj se synimi ynë kryesor duhet të jetë kualifikimi për në Botërorin e Brazilit në 2014. E shkuara, për mua, nuk është aq e rëndësishme sa e tashmja dhe e ardhmja. Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë dhe se mund të kualifikohemi për në Botëror”, u shpreh Kapelo.
Pas problemeve në stolin e kombëtares së Anglisë, si ndihet “Don Fabio” tani në versionin rus?
“Jam i lumtur që jam këtu. Ishte zgjedhja ime që të vija në Rusi. Presidenti i Federatës më zgjodhi mua si trajner dhe jam i lumtur. Kam nisur një punë të re, por i njoh lojtarët, kam parë shumë ndeshje dhe kam shumë shpresë se do të luajmë mirë ndaj Irlandës së Veriut. Anglia dhe Rusia janë dy vende të ndryshme. Në Angli më mjaftonte një makinë për të shkuar në çdo ndeshje, këtu kam nevojë për avion”, shtoi ai.
Kujtimet nga kampionati europian nuk janë aspak të mira dhe vetë Kapelo ka kohë që ka arritur suksesin e tij të fundit. Veçse, ambicia nuk e ka tradhëtuar. Ndoshta me Rusinë do të korrë një fitore të re.