Ronaldo, më i famshmi në Facebook

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është sportisti më i famshëm në Facebook, shkruan e përditshmja sportive spanjolle Marca.
Ylli portugez mund të llogarisë në mbështetjen e 3.2 milionë tifozëve në uebfaqen e rrjetit social dhe gjendet para tenistit më të mirë në botë, zviceranit Roger Federer, i cili ka 3.18 milionë përkrahës, ndërsa i treti është notuesi amerikan Michael Phelps me 2.86 milionë.
Ronaldo 24-vjeç, erdhi në Real Madrid nga Manchester United, gjatë verës së vitit të kaluar, duke shënuar transferimin më të shtrenjtë në histori të futbollit, me vlerë prej 94 milionë euro.
Ai është po ashtu futbollisti më fitimprurës në klubin, në të cilin në të kaluarën janë paraqitur yje si Zinedine Zidane dhe David Beckham.
Ronaldo ka gjeneruar 80 milionë euro nga të ardhurat vjetore nga marketingu.