E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suarez, turpi i Liverpoolit

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson e ka quajtur të turpshëm sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez, pas injorimit të tij të shtrëngojë dorën me mbrojtësin Patrice Evra, para fillimit të ndeshjes në Old Trafford. Skocezi thotë se uruguaiani nuk duhet të luajë më kurrë për një klub me histori dhe traditë si Liverpooli. Kurse, Kenny Dalglish siguron se nuk e ka parë incidentin.

Sir Alex Ferguson e quajti Luis Suarezin “turp” dhe theksoi se atij nuk duhet t’i lejohet të luajë kurrë më për Liverpoolin, pasi sulmuesi uruguaian refuzoi të shtrëngojë dorën me Patrice Evrën, para fitores së Manchester Unitedit 2-1 në Old Trafford të shtunën.

Ferguson ishte i hidhëruar që Suarez qëllimisht tërhoqi dorën, kur u gjend ballë për ballë me Evrën, për herë të parë prej suspendimit për tetë ndeshje për fyerje racore ndaj kapitenit të Unitedit në ndeshjen e tetorit në Anfield Road.

Evra u duk i shokuar nga injorimi i Suarezit, gjatë përshëndetjes tradicionale para ndeshjes dhe e kapi për dore uruguaianin, para se bashkëlojtari i tij nga Unitedi, Rio Ferdinand të përgjigjet duke refuzuar t’ia japë dorën yllit të Liverpoolit.

Ferguson theksoi se veprimet e Suarezit kanë mundur të shkaktojnë trazira në ndeshje, që edhe ashtu është shumë e tensionuar në mesin e tifozëve. Skocezi beson se një klub me histori dhe traditë si Liverpool nuk duhet të ketë në skuadër një futbollist si Suarez.

“Nuk mund të besoja. Thjesht, nuk mund të besoja”, tha Ferguson për Sky Sports. “Kam biseduar me Evrën në mëngjes dhe ai më ka thënë se do t’ia ofrojë dorën. Ai më tha se nuk ka asgjë për çka të ndihet i turpëruar. Kurse, Suarez është turp për klubin e Liverpoolit. Ai nuk duhet të lejohet të luajë sërish për Liverpoolin. Me historinë që kanë këto dy klube, ai mund të kishte shkaktuar trazirë. Ajo që bëri ishte e tmerrshme. Ju e patë gjyqtarin. Ai nuk dinte se çka të bëjë. Ishte një fillim i tmerrshëm i ndeshjes dhe krijoi një atmosferë të tmerrshme”, theksoi Ferguson.

Kurse, menaxheri i Liverpoolit. Kenny Dalglish insistoi se nuk e kishte parë incidentin, por reagoi ashpër ndaj sugjerimeve se ajo shkaktoi një kacafytje mes futbollistëve në tunel, pas përfundimit të pjesës së parë.

“Nuk e kam ditur se nuk ia ka dhënë dorën. Më besoni. Kjo është kontradiktore nga ajo që më është thënë mua. Por, është e gabuar të fajësoni Suarezin për çka do që ndodhi sot, sa ndëshkime ishin? Tifozët u ngacmuan”, deklaroi Dalglish.

Sa i përket vetë ndeshjes, ajo ishte shumë e tensionuar dhe tejet dramatike. Të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë. United kaloi në epërsi në minutën e 47-të, kur Rooney tregoi reflekset e tij prej golashënuesit duke shënuar nga afërsia.

Vetëm tre minuta më vonë, sulmuesi anglez e dyfishoi epërsinë e vendasve duke mposhtur portierin Pepe Reina, pas shërbimit të mirë nga Antonio Valencia. United e administroi lojën, por fitorja e tyre u vu në dyshim, kur Luis Suarez ngushtoi rezultatin në 2-1, në minutën e 80-të. Mirëpo, vendasit rezistuan dhe mposhtën Liverpoolin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›