Walker: Anëtarësimi në NATO, lehtësi për liberalizimin e vizave
Diplomati i shquar amerikan William Walker, me karrierë të gjatë edhe në Ballkan dhe i njohur veçanërisht për shqiptarët, për kontributin e tij në çështjen e Kosovës, deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje monumentale e qeverisë shqiptare dhe kjo jep më shumë shanse për heqjen vizave me vendet e BE dhe anëtarësimin në familjen europiane në një të ardhme të afërt. Mendoj se është një arritje shumë e madhe, absolutisht. Është monumentale.
Mendoj se kjo do të thotë se ju jeni tani një partner me të drejta të plota në Europë, jeni partnerë me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe të gjitha këto vende që kanë qenë partnerë të NATO-s që nga fundi i luftës, u shpreh Walker. Të njëjtat vlerësime diplomati i shquar amerikan ka dhënë edhe për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin e Europian. Të gjithë e dinë që Europa po bëhet gjithmonë e më shumë e integruar, gjithmonë e më shumë pa kontrolle kufijsh, pa probleme me pasaportat, me vizat, dhe për Shqipërinë anëtarësimi në NATO e po ashtu në BE është pjesë moderne e një Europe moderne, çka është e mrekullueshme, ka konsideruar Walker, duke vlerësuar faktin se në linjën e anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka kaluar përpara disa vendeve të tjera si Serbia, të cilët mendonin se do të ishin të parët që do të anëtarësoheshin. Walker shtoi më tej se reformat ekonomike, masat kundër korrupsionit, kundër krimit, kanë qenë pozitive. Duke vlerësuar më tej rëndësinë e rrugës Durrës-Kukës, diplomati amerikan ka bërë të ditur se sot do të jetë në inagurimin e tunelit të kësaj rruge, që bashkon Shqipërinë me Kosovën. Mendoj se është një arritje shumë e madhe. Unë me të vërtetë uroj Sali Berishën dhe qeverinë për ato që kanë bërë gjatë viteve të fundit. Unë jam absolutisht i sigurt se autostrada nga këtu në Kosovë do të sjelle përfitime ekonomike. Jo vetëm për Shqipërinë, për Kosovën, por për gjithë pjesën tjetër të Europës është shprehur Walker.