E Diel, 1 Nëntor 2026

Roshi: Opozita të heqë dorë nga spiunimi i kundërshtarëve

20/01/2011  Deklarata e kreut të PBKD-së

Kryetari i partisë “Balli Kombëtar Demokrat”, Artur Roshi, zhvilloi dje një konferencë për shtyp, ku komentoi situatën politike të ditëve të fundit, duke akuzuar opozitën se ajo udhëhiqet nga një mentalitet totalitar i kreut të saj Edi Rama. “Thirrjet antikushtetuese të opozitës ditët e fundit se gjoja mazhoranca do të përballet me popullin, thjesht nxori në sipërfaqe mentalitetin totalitar të opozitës”, - u shpreh ai. Më pas në deklaratën e tij Roshi shtoi: “Dikur opozita fliste për popullin opozitar, duke e konsideruar popullin shqiptar një shumësi popujsh për ta përçarë. Tani ajo flet në emër të popullit. Në emër të popullit komunistët bënë që nga atentatet kriminale kundër individëve e deri te vrasjet masive. Në emër të popullit komunistët vranë dhe firmëtarë të pavarësisë.” Duke u nisur nga këto qëndrime të opozitës, PBKD-ja i bën thirrje të heqë dorë nga metodat e saj enveriste në lidhje me spiunimin e kundërshtarëve të saj politikë. “Opozita nuk duhet të marrë përsipër të bëjë dhe rolin e spiunit, dhe të denoncuesit, dhe të kameramanit të fshehtë, dhe të prokurorisë dhe të gjykatësit”, – theksoi kreu i PBKD-së Artur Roshi. “Mblidhja e deputetëve te foltorja e Kuvendit në një përpjekje për të sulmuar fizikisht kryeministrin e vendit, është pasojë e instiktiveve guerrile të opozitës së sotme, të cilat, sado me dhimbje, duhet t’ia nënshtrojë një operacioni emancipues demokratik”, - përfundon deklaratën e tij Roshi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›