E Diel, 1 Nëntor 2026

Rosi i papërmbajtshëm: Fiton, merr vendin e parë dhe barazon Nieton

Valentino Rosi konfirmon formën e shkëlqyer që po kalon në këtë fillim sezoni, duke fituar Çmimin e Madh të Francës, i shkëputur nga të gjithë ndjekësit dhe duke marrë kreun e renditjes së botërorit. Për pilotin italian kjo ishte fitorja e tij e 90-të në garat me motorë, duke barazuar pilotin legjendar spanjoll, Angel Nieto. Ky i fundit ka festuar bashkë me Rosin duke nisur Jamahan e italianit dhe duke mbajtur një bluzë ku shkruhej "90, bravo Valentino", si për të përgëzuar "Doktorin" për hyrjen mes emrave të mëdhenj të garave me motorë.

Që në provat zyrtare ishte parashikuar se do të zhvillohej një garë e ndezur mes katër pilotëve që kishin dhënë kohë shumë të mira. Në gjysmën e parë të garës janë Rosi, Stoner dhe Pedroza që shkëmbejnë shpesh pozicionet me parakalime marramendëse, ndërsa Eduards i ndjek nga afër. Rosi bëri një nisje të gabuar, por pasi arrin të kapë grupin e kreut, parakalon Stoner dhe Pedrozën, duke u shkëputur menjëherë nga ndjekësit e tij. Ndërkohë, Lorenzo i dëmtuar e sheh veten në vendin e 12-të në fillimin e garës, por fillon të parakalojë çdo pilot që i dilte para dhe në gjysmën e garës arrin të shfaqet në vendin e 5-të, duke kaluar edhe Kris Vermylen. Në xhiron e 15-të, kushtet atmosferike bëhen përsëri protagoniste, pasi në një pjesë të pistës fillon të bjerë shi. Nëse pilotët e tjerë ulin paksa ritmin, Rosi vazhdon të regjistrojë xhiro të shpejta, duke arritur të shkëputet përfundimisht nga ndjekësit. Edhe shoku i tij i skuadrës te Jamaha, Horge Lorenzo, vazhdon të shkëlqejë dhe parakalon Eduards e Pedrozën pa probleme, ndërsa Stoner detyrohet të ndërrojë motor për shkak të një problemi teknik, duke u rikthyer në pistë në vendin e 16-të. Edhe Honda dukej se nuk ishte përgatitur mirë për një garë të tillë, ndaj Pedroza sheh se si Eduards e kalon lehtësisht duke i rrëmbyer vendin e tretë. Rosi, Lorenzo dhe Eduards prenë të parët vijën e finishit, duke konfirmuar se Jamah këtë sezon po mendon seriozisht për të fituar titullin si për pilotë, ashtu edhe për konstruktorë. Klasifikimi i botërorit tashmë sheh Valentino Rosin në vendin e parë me 97 pikë, i ndjekur nga Lorenzo dhe Pedroza me 94 pikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›