Rossi shkarkohet dhe dënohet për tre muaj

51 vjeçari goditi Ljajicin pasi ky i fundit kishte duartrokitur në mënyrë ironike pas zëvendësimit të tij. Për gjestin e bërë, Rossi u shkarkua nga detyra menjëherë pas ndeshjes, kurse më pas është suspenduar për tre muaj nga komisioni disiplinor.
“Trajneri e zëvendësoi futbollistin me numrin 22, i cili pas daljes nga fusha u ul në pankinë dhe dukej se reagoi keq ndaj vendimit, duke duartrokitur në mënyrë ironike në drejtim të trajnerit. Rossi papritmas kërceu mbi të dhe e goditi pandërprerë në dorën e tij të djathtë dhe fytyrë, derisa disa anëtarë të klubit e ndanë atë nga Ljajici. Xhirimet e tregojnë shumë mirë incidentin e dhunshëm dhe të papritur, shkalla serioze e të cilit nuk guxon të fajësohet mbi tensionin që gjeneron një ndeshje. Për këtë arsye, trajneri Delio Rossi është suspenduar për tre muaj”, thuhet në komunikatën e komisionit disiplinor.
Kurse Fiorentina ka emëruar Vincenzo Guerinin si zëvendësim për Rossin për dy ndeshjet e fundit të sezonit si dhe është zotuar se do ta dënojë Ljajicin për rolin e tij në incident.