Rivalët e kujdesshëm

Trajnerët e rivalëve për titull në Serie A, Juventus dhe Milan, kanë mbajtur nën kontroll emocionet e tyre pas një nate dramatike në kampionatin italian, ku dallimi në krye të tabelës u ngushtua në vetëm një pikë.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon bëri një gabim të rëndë që i lejoi Lecces ta barazojë rezultatin në 1-1, derisa lideri dështoi të fitojë për herë të parë pas nëntë ndeshjesh. Kjo i mundësoi Milanit t’u afrohet Bianconerëve në një pikë, dy xhiro para fundit, pas fitores 2-0 ndaj Atalantas.
Por, sikurse Antonio Conte, edhe Massimiliano Allegri ka refuzuar të promovojë gjasat e skuadrës së tij për Scudetto. Në fakt, Conte ende insiston në theksimin e tij se është në drejtim të një skuadre ende të papjekur në vend të klubit më të madh, më të përkrahur dhe më të suksesshëm në Itali.
“Ajo çfarë ndodhi ishte e rëndë, gjëra të tilla kanë ndodhur në të kaluarën, kurse tani na ndodhi neve”, tha Conte për gabimin e Buffonit. “Megjithatë, në fillim të vitit do të kishim pranuar njëmijë herë të kishim një pikë epërsi ndaj pozitës së dytë, dy xhiro para fundit. Sigurisht se mund të ishim shumë pranë titullit (me fitore), por gabimi ndodhi dhe tani duhet të shikojmë përpara. Ky është një grup që është duke bërë gjëra të mrekullueshme. Dy ndeshjet e ardhshme janë hapat e fundit në rrugën drejt zhvillimit. Nëse fitojmë titullin, duhet ta meritojmë, përndryshe do ta meritojnë të tjerët”, u shpreh ai.
Conte ndjeu se problemi i vërtetë te skuadra e tij qëndron në faktin se ata dështuan të shfrytëzojnë dominimin e gjatë para golit të barazimit nga Andrea Bertolacci, pesë minuta para fundit. Por, ai mbeti pozitiv dhe theksoi se skuadra e tij është ende në pol-pozitë.
“Ne kishim raste të mira të dyfishonim epërsinë, por nuk i shfrytëzuam. Ajo që ndodhi është e paimagjinueshme, deri atëherë Buffon nuk i kishte zhytur dorëzat. Çmimi në dispozicion ishte i rëndësishëm, e dinim se me fitore do të bënim një hap të madh përpara dhe ndoshta kjo na mori paksa kujdesin. Megjithatë, gjithçka është në duart tona, duhet të fitojmë për të realizuar një ëndërr”, përfundoi ai.
Kurse, Allegri ka thënë se rezultatet e së mërkurës i kanë dhënë skuadrës së tij një përkrahje të rëndësishme para derbit të qytetit kundër Interit në fundjavë. Por, ai pranoi se nuk kishte pritur ndihmë nga Lecce.
“Duke parë mënyrën si luajti Juventusi në tetë ndeshjet e fundit, ishte vështirë të imagjinohej se do të humb pikë në shtëpi. Por, kjo e bën futbollin sport të mrekullueshëm. Jemi të lumtur për atë që ndodhi dhe tani duhet të jemi gati të luajmë një derbi të mirë, që do të jetë përplot emocione. Interi lufton për kualifikim në Ligën e Kampionëve, kurse ne për titull”, deklaroi Allegri.