E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e ish-kryeministrit libanez

16/02/2005  Boshllëk që vështirë të mbushet

Shtetet e Bashkuara nxituan të thonë se vrasja ishte një kujtesë që pushtimi politik dhe ushtarak sirian duhet të marrë fund. Udhëheqësit libanezë të opozitës e thanë troç se fajësonin qeveritë libaneze dhe siriane dhe kërkuan largimin e ushtrisë së Sirisë, dorëheqjen e kabinetit dhe ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar

Presidenti francez, Zhak Shirak, i cili është vënë mirë në dijeni për tensionet e brendshme, bëri thirrje për hetim ndërkombëtar përpara se t’i vinte fajin ndokujt

Në pamje të parë, Libani duket se e ka rimarrë goxha veten nga lufta civile – ka rindërtuar ndërtesat e gurta që shkëlqejnë nën diellin mesdhetar, ndërsa kafenetë e trotuareve gumëzhijnë. Por politika është ende brutale, kryesisht për shkak të ndikimit sirian dhe zënkave disa dekadëshe. Dhe vrasja të hënën e ish-kryeministrit Rafik Hariri i mbylli gojën një zëri të fuqishëm dhe të moderuar që do të jetë shumë e vështirë të zëvendësohet. Eshtë e sigurtë se vrasja do të shënojë një prapakthehu në marshin e qëndrueshëm të Libanit drejt normalitetit, pas luftës civile shkatërrimtare nga 1975–1990. Në të ardhmen e afërt, mund të ngecet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parashikuara për në maj – një votim që ka shkaktuar shumë grindje në muajt e fundit, por që do të jetë përcaktuas për të ardhmen e Libanit: do të vazhdojë të qëndrojë nën kontrollin sirian, apo do t’i shpëtojë atyre kthetrave.

Në një periudhë afatgjatë, politikanët në të dy krahët e gardhit politik lebanez tremben se mos shënjestra e vërtetë ka qenë bashkëjetesa në paqe mes myslimanëve dhe kristianëve, të cilën ky vend e ka arritur prej fundit të luftës civile. Të paktën për tani, opozita dhe qeveria janë të ndara përgjatë fronteve politikë, jo ndarjeve sektariane që çuan në luftën civile. Hariri ishte një mysliman sunnit; mes aleatëve të tij kishte edhe kristianë. Pas bombës të së hënës, ministri i Informacionit, Elie Ferzlie, paralajmëroi për një “komplot” që synonte të rindizte konfliktin sektarian. Presidenti francez, Zhak Shirak, i cili është vënë mirë në dijeni për tensionet e brendshme, bëri thirrje për hetim ndërkombëtar përpara se t’i vinte fajin ndokujt.

Por Shtetet e Bashkuara nxituan të thonë se vrasja ishte një kujtesë që pushtimi politik dhe ushtarak sirian duhet të marrë fund. Udhëheqësit libanezë të opozitës e thanë troç se fajësonin qeveritë libaneze dhe siriane dhe kërkuan largimin e ushtrisë së Sirisë, dorëheqjen e kabinetit dhe ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Siria u përpoq menjëherë të distancohej nga çdo përgjegjësi, duke e dënuar sulmin.

Si Siria, ashtu edhe qeveria libaneze prosiriane kanë qenë nën presion të vazhdueshëm nga SHBA, Franca dhe OKB që të tërheqin ushtarët sirianë nga vendi dhe çarmatosin luftëtarët. Kundërshtarët prosirianë e kanë akuzuar Haririn se ka qenë forca shtytëse pas një rezolute të OKB në shtator, në një përpjekje për të ndalur parlamentin libanez që të zgjasë mandatin e Presidentit Emile Lahoud – rivali i tij për një kohë të gjatë.

Pritej që Hariri të merrte pjesë në zgjedhjet e ardhshme si kandidat i opozitës. Kundërshtarët, përfshirë anëtarë të qeverisë prosiriane, e kishin akuzuar se ishte mjeshtri i prapaskenave të opozitës.

Por, ndonëse pati kritika të rënda kundër tij nga aleatët e Sirisë në Beirut, ish-kryeministri ka qenë i kujdesshëm për të mos iu kundërvënë Damaskut. Hariri dukej se qëndronte gjithnjë në mes të debatit politik acidik në lidhje me praninë e trupave siriane. Pasi dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, tetorin e kaluar, ai nuk u bashkua menjëherë me opozitën. Në vend të kësaj, vazhdoi të dënojë qeverinë e Lahoud, por pa dënuar Sirinë.

Në komentet e tij të fundit, të botuara të hënën, Hariri kishte thënë për gazetën As-safir se kishte ndërhyrë për të moderuar qëndrimin e ashpër të opozitës kundër Sirisë. Ai gjithashtu këmbëngulte se një fitore e opozitës nuk do të thoshte humbje e Sirisë. “Ne do të jemi shumë të interesuar për marrëdhëniet me të”, kishte thënë.

Hariri po kthehej nga një debat për zgjedhjet në parlament, kur eskorta e tij u hodh në erë – vetëm disa hapa larg ndërtesave të gurta, trotuareve të këndshëm dhe kafeneve të zhurmshme, që kishte ndihmuar të rindërtoheshin.

Një kujtesë shkundëse

Në Liban nuk janë zhdukur pasojat e luftës së dikurshme civile

Një shpërthim bombe në Bejrut nuk mund të mos sjellë ndërmend kujtimet e luftës civile 15-vjeçare në Liban, kur kryeqyteti i tij, dhe jo Iraku, ishte sinonim i kaosit, bombave kamikaze dhe pengmarrjeve në Lindjen e Mesme. Lufta përfundoi 15 vjet më parë, dhe që atëherë Libani është vetëndërtuar, duke i rikthyer Bejrutit reputacionin e Parisit të botës arabe, një nyjë kulturore dhe tregtare e Mesdheut lindor, i famshëm për ushqimin dhe jetën e natës.

Rafik Hariri, më i njohuri i 10 personave që gjetën vdekjen të hënën, ishte një pjesë integrale e rindërtimit të vendit. Si kryeministër, gjatë 10 prej 15 viteve të fundit, ai thithi shumë investime të huaja, aq të nevojshme, dhe si kreu i një kompanie private ndërtimesh, ai ndihmoi zhvillimin e pjesës më të madhe të bregut të Bejrutit, pikërisht atje ku vdiq dy ditë më parë. Qytetet mund të rindërtohen, por duhen shumë më tepër sesa tulla dhe llaç për të fshirë krejtësisht trashëgiminë e një lufte civile, dhe në Liban, kjo ishte shumë më komplekse se në shumë vende të tjerë. Lufta nisi si një përplasje mes komuniteteve myslimanë dhe kristianë për pjesën e tyre të pushtetit politik (Kushtetuta libaneze garantonte përfaqësimin e secilit grup), por thithi brenda vetes luftërat më të gjera të rajonit.

Trupat izraelite pushtuan jugun e vendit dhe zgjeruan luftën kundër gueriljeve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës edhe në vetë Bejrutin. Aktivistët islamikë, mbështeteshin nga Hezbollahu i krijuar në Iran, një grup ky që u bë i njohur për pengmarrjen e perëndimorëve, përfshirë Teri Ueitin. Edhe disa grupe të tjerë lokalë, etnikë dhe fetarë krijuan milici. Në një konflikt që mori jetët e 100 000 vetëve, masakra e më shumë se 1000 refugjatëve palestinezë në kampet e Sabras dhe Shatilas, e kryer nga luftëtarët kristianë libanezë aleatë të Izraelit, ishte incidenti më tragjik.

Pati edhe bomba kamikazësh: 241 marinsa amerikanë dhe 60 ushtarë francezë, të vendosur në Bejrut me ftesë të qeverisë libaneze, u vranë kur një kamion-bombë shpërtheu në kazermat e tyre në tetor të vitit 1983.

Nganjëherë, lufta civile libaneze ishte më shumë një thuajse betejë mes Izraelit dhe Sirisë, por ishte Damasku që përfitoi më shumë. Qëkurse Izraeli u tërhoq nga zona jugore që kishte pushtuar në 2000, trashëgimia më e zgjatur e kësaj lufte ka qenë prania e vazhdueshme e trupave siriane. Forcat siriane ndihmuan në kthimin e stabilitetit në Liban pas luftës civile, dhe sot në vend vazhdojnë të qëndrojnë afro 14 mijë trupa. Për shumë libanezë, ata e kanë tepruar me qëndrimin e tyre.

Rafik Hariri dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit-kujdestar në tetor, kur Damasku bindi parlamentin libanez që të amendojë Kushtetutën për të zgjatur mandatin presidencial të aleatit të vet, Emile Lahoud. Z.Hariri nuk ishte një anëtar zyrtar i opozitës, por ai u ishte bashkuar thirrjeve të politikanëve opozitarë për tërheqjen e trupave siriane dhe pritej që të rikthehej në zgjedhjet e majit.

Nuk është shumë e qartë se kush qëndron pas shpërthimit. Televizioni arab Al Xhazira bëri të ditur se një grup islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë, ndonëse është e pashmangshme që gishtat të drejtohen nga Siria. Një përfshirje e tillë do të dukej aspak e mençur, nëse do t’i jepte mundësi Uashingtonit që të lidhte Damaskun me terrorizmin, por me siguri vdekja e Haririt do të ndryshojë klimën në të cilën vepron opozita libaneze. Jo më larg se tetori i vitit të kaluar, një politikan i opozitës u plagos rëndë dhe shoferi i tij u vra, pikërisht në çastin kur nisën të rriten tensionet në lidhje me zgjatjen e mandatit të zotit Lahoud.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›