E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Maradonës: 6 vjet që s’përdor drogë

ARGJENTINE- I ftuar në një talk-shoë të njohur kombëtar në Argjentinë, Diego Armando Maradona ka treguar se nuk ka marrë drogë që prej 6 vjetësh. I ftuar në emisionin e drejtuar nga Suzana Himenez, tekniku i kombëtares argjentinase është rrëfyer mbi jetën e tij dhe për planet në Botërorin e Afrikës së Jugut. “Që prej 10 ditësh më parë, u mbushën 6 vjet që nuk kam përdorur më drogë, - ka thënë Maradona. – Kjo ka ndodhur në sajë të vajzave të mia. Pa ato nuk do t’ia kisha dalë dot, sepse isha në gjendje të keqe, por edhe i bindur se po bëja gjithçka mirë. Asgjë në ato momente nuk kishte rëndësi për mua, - ka thënë më tej Maradona. – Por, sot pas 6 vjetësh unë vlerësoj në maksimum gjithçka kam”. Maradona rrëfeu se ishte në prag të vdekjes kur vajza i tha se kishte nevojë për një baba. Sipas tij, ajo fjalë ishte një gjetje e suksesshme dhe më pas ai nisi t’i kthehej jetës normale. Diego Armando Maradona është një prej futbollistëve më të mëdhenj që ka parë bota, por problemet e tij me drogën kanë qenë të mëdha. Karriera e tij u mbyll në mesin e Botërorit 1994 pikërisht për shkak të përdorimit të kokainës.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›