E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i një snajperisti të dëshpëruar

Rrëfimi i një snajperisti sirian, i cili kishte dezertuar nga radhët e ushtrisë dhe i ishte bashkuar kryengritësve, dëshmon për qarkun e dhunës, në të cilin është zhytur Siria. “Shumë kryengritësit nuk po luftojnë vetëm për të përmbysur Assadin, ata po luftojnë për të siguruar reputacion, për të ngritur emrat e tyre. Dëshiroj që gjërat të kthehen si në fillim, kur luftonim për Zotin dhe popullin, e jo për reputacionin e disa komandantëve”, thotë ai.

Nga pjesëtarët tjerë të Ushtrisë së Lirë të Sirisë, ai thjeshtë njihet si snajperisti, një 21 vjeçar dikur pjesëtarë i ushtrisë së Sirisë, i cili dezertoi më 21 shkurt dhe ju bashkua kryengritësve. Të paktë janë kolegët e tij, që ja dinë emrin, e lërë më mbiemrin-dhe ai dëshiron të mbetet kështu.

Ai rrjedhë nga një familje ushtarake sunite, nga një qytet në afërsi të Damaskut. Xhaxhai i tij ende shërben në ushtrinë e presidentit Baschar Al Assad, e gjithashtu edhe disa të afërm tjerë të tij janë zyrtarë të lartë në radhët e ushtrisë. Përveç prindërve dhe vëllezërve dhe motrave të tij, të gjithë të tjerët mendojnë se ai ka vdekur.

Ai ndoshta duket i qetë, por në të vërtetë është tejet i trazuar. Pas nëntë muajve të shërbimit në disa njësi të Ushtrisë së Lirë të Ushtrisë, fillimisht në periferi të Aleppos, e më pas edhe në qytet, pasi që kryengritësit hynë në të në korrik, ai është dëshpëruar dhe i hidhëruar me mënyrën se si po udhëhiqet lufta. “E kam bërë këtë, kur gjërat ishin të pastra. Tani nuk janë më. Shumë kryengritësit nuk po luftojnë vetëm për të përmbysur Assadin, ata po luftojnë për të siguruar reputacion, për të ngritur emrat e tyre. Dëshiroj që gjërat të kthehen si në fillim, kur luftonim për Zotin dhe popullin, e jo për reputacionin e disa komandantëve”, thotë ai.

Ai në nëntor refuzoi urdhrin që të luftoi kundër një njësie pro-qeveritare të kurdëve, në një lagje kurde në Aleppo, në të cilën kishin hyrë kryengritësit. “Pse të luftoj kundër kurdëve? Kjo është një zhvendosje e vëmendjes. Kjo nuk është lufta jonë”.

Sirianët në opozitë, pa marrë parasysh të armatosur apo jo, shpesh kanë theksuar se në Siri mund të ketë një revolucion të dytë, pas revolucionit për të përmbysur Assadin. Disa parashikojnë një luftë mes kryengritësve sekularë dhe atyre islamik, të njerët mes dezertorëve dhe civilëve të armatosur, disa thonë se do të jetë kjo një luftë etnike mes kurdëve dhe arabëve, të tjerët thonë se do të ketë luftë për territore mes komandantëve të ndryshëm, pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre ideologjike. Disa të tjerë thonë se nuk do të ketë luftë. Snajperisti, sikur edhe shumë luftëtarë tjerë, thonë se do të ketë luftë dhe se ajo do të jetë e tmerrshme. “Ne nuk do të bëhemi Somali pas rënies së Assadit. Por do të kemi shumë Somalia në çdo provincë”, thotë ai.

Gjërat nuk nisën kështu, as për snajperistin e ri, e as për revolucionin. “Mendoj se tani nuk jam ai i mëparshmi. Kurrë nuk kam besuar se do të vrasë ndokënd”. Por ai ka vrarë, 34 persona që nga momenti kur kishte dezertuar nga radhët e ushtrisë, përfshirë këtu edhe shokun e tij të fëmijërisë, Mohammedin, për të cilin thotë se e ka dashur më shumë se vëllanë.

Gjatë disa javëve të kaluara, kryengritësit kanë avancuar në shumë pjesë të Sirisë, por në Aleppo, pas fitoreve fillestare, përparimi i tyre ka ngecur.

Përkundër luftimeve të ashpra, snajperisti thotë se ka ditë, kur ai nuk shkrep asnjë plumb të vetëm. Viktimat e tij, kur ai flet për ta, ishin të gjithë banditë pjesëtarë të njësisë pro-qeveritare Al Shabiha, një fjalë kjo e lehtë për të paraqitur si jonjerëzor armiqtë. Por ai e di se kjo nuk është në tërësi e vërtetë. Ai e di se shoku i tij i fëmijërisë, Mohammedi, nuk ka qenë një Shabih. Ai thotë se nuk e di se a është vrarë Mohammedi nga plumbi i tij, apo nga plumbi i një kolegu të tij.

“Kemi qenë në shkollë së bashku. Jemi rritur së bashku. Nëna e tij ishte sikur nëna ime, kaq të afërm ishim”, rrëfen ai. Që të dy filluan së bashku shërbimin në ushtri dhe mbetën në kontakt madje edhe pas dezertimit të snajperistit. Mohammedi ishte njeriu i vetëm jashtë gjirit të familjes së tij të ngushtë që e dinte se ai ishte ende gjallë.

“I thosha që të dezertonte, por ai përgjigjej jo tani, se është ende herët. Ai frikësohej se edhe familja e tij do të përballej me telashet, me të cilat ishte përballur familja ime”, thotë snajperisti, duke theksuar se anëtarët e tij ishin marrë në pyetje dhe ishin keqtrajtuar.

Mohammed në fund u dërgua në Aza, në afërsi të Aleppos, ku ai u vra gjatë një përleshje me njësinë e snajperistit.

Sikur edhe shumë njerëz në vijën e frontit, edhe snajperisti ka gjetur ngushëllim në religjion, por bëhet këtu fjalë për një formë të politizuar të islamit. Ai flet me admirim për pjesëtarët e grupit ekstremist, Jabhat Al Nusra, që ka ndërmarrë disa prej sulmeve më të përgjakshme vetëvrasëse kundër shënjestrave të regjimit. “Ata janë të pastër dhe po bëjnë një punë të mirë”, thotë ai.

Në fund ai thotë se ata, të cilët nuk i janë bashkuar popullit të Sirisë nuk janë sirianë, por janë tradhtarë dhe tradhtarët duhet të vdesin.

Po Muhammedi? A ishte ai tradhtarë? Jo nuk ishte, përgjigjet ai. “Megjithatë, e kam pranuar vdekjen e tij dhe për mua asgjë më nuk ka rëndësi. Kushdo që të vendoset në para nishanit tim do të vdes. Kjo është e tëra. . Zemra ime është bërë gur, i jam kthyer religjionit, por pasi kam vrarë, zemra ime është bërë gur. Një snajperit sheh se kënd e vret. Është vështirë. Snajperisti sheh viktimën e tij”, nënvizon ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›