E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gati projektligji për mbrojtjen e investitorëve të huaj

Deklarata Drafti parashikon se në rast pretendimi mbi pronën, hidhet në gjyq shteti dhe jo investitori

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se qeveria miratoi ndryshime të reja në ligjin për investimet publike, të cilat mbrojnë investitorët e huaj nga ata që abuzojnë me trojet. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha theksoi se të gjitha pretendimet e qytetarëve të ndryshëm për pronësi në ato prona që tashmë janë marrë nga investitorët, duhet t’i drejtohen shtetit. Sipas Berishës, nuk mund të tolerohen më rastet kur në gjyq hidhen investitorët për pretendime nga më absurde për çështjen e pronësisë. “Pretendime nga më absurdet, viktimizojnë në raste të caktuara investitorët. Njerëz që nuk kanë pasur asnjë pretendim pronësor, për toka apo parcela të caktuara, sapo marrin vesh se një investitor nis të investojë, ngërthen në veprime mafioze, hapin padi vetëm e vetëm që ta gjobisin, kërkojnë 50 mijë euro që të ndërpresin procesin”, deklaroi kreu i qeverisë në fjalën e tij. Sipas Berishës, është shteti përgjegjës për procesin e pronave dhe ndaj ai do dëmshpërblejë deri në qindarkën e fundit të gjithë pretenduesit e ndershëm të pronave dhe do të dënojë me forcën e ligjit aty ku konstatohen shkelje dhe abuzime. Kryeministri shtoi se hartimi i këtij vendimi mbi përgjegjësinë shtetërore për problemet e pronësisë ndaj investitorëve përbën një zhvillim të ri substancial për të garantuar të gjithë stabilitetin e nevojshëm të investitorëve. “Nëse kanë të drejtë, shteti do t’u përgjigjet në çdo qindarkë, por nëse hyjnë në procese të pandershme, do të marrin atë që meritojnë. është bërë e papranueshme”, u shpreh Berisha. Ai përmendi edhe rastet e fundit që kanë ndodhur në vend, ku pronarët kanë kërkuar të drejtën edhe për pasuritë minerare që mund të ketë pasur toka e tyre. “Dikush vërtet mund të hapë një minierë në një pronë të dikujt, por ajo pronë duhet të shpronësohet, mbi bazën e rregullave që kemi, me çmimet që ekzistojnë në atë zonë, për pjesën e sipërfaqes që i bllokohet. Nëntoka është e publikut, ujërat janë të publikut. Prona private është deri në themelin e shtëpisë, më tutje është e shtetit dhe e zotit, është e publikut”, deklaroi Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Kryeministri konstatoi se këto ndryshime të miratuara në këtë ligj janë të domosdoshme dhe të mirëpritura nga publiku. Sipas Kryeministrit, në hartimin e këtij drafti është marrë për bazë ekspertiza më e mirë. Në mënyrë të përsëritur kreu i qeverisë ka theksuar nevojën e Shqipërisë për investime të huaja. Në këtë kuadër, Berisha ka pasur gjithmonë prezente në axhendën e tij/ si kryeministër takimet me investitorë të huaj dhe pjesëmarrjen në konferenca të rëndësishme investitorësh. Ai theksoi se qeveria ka krijuar kushtet më të mira për sa i përket politikave fiskale që ndjek për investimet e huaja.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›