Vjedhin për skrap kanalet vaditëse, dy në pranga
Dy persona, Sedat Zoto 54 vjeç, dhe Eduard Kaja 34 vjeç nga fshati Ardenicë i rrethit të Lushnjës, janë kapur në flagrancë nga strukturat e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Lushnjë duke vjedhur në bashkëpunim . “Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale ‘vjedhje e kryer në bashkëpunim’ dhe ‘shkatërrim i pronës’, për arsye se në afërsi të fshatit Rrapëz të rrethit Lushnjë, ata janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë duke vjedhur një sasi tubi hekuri në një kanal vaditës”. Sipas policisë, dy të ndaluarit pasi i kishin prerë tubat, i kanë transportuar në mjetin kamionçinë me targë AA 238 BR, në pronësi të Eduart Kajës, ndërkohë që mendohet se këtë vepër penale dy personat e kanë kryer edhe më parë. Fshati në fjalë ankohet përherë se në verë nuk janë në funksion kanalet vaditëse për shkak se mungonin tubat përcjellës. Ndërkohë, e gjithë sasia e vjedhur është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë është bllokuar po ashtu edhe mjeti i transportit me të cilin lëvizte sasia e tubove të vjedhura.