E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmben fëmijët e tij, pranga babait

POGRADEC/ Jani Mokrari ka përfunduar në pranga pasi ka marrë dhunshëm fëmijët që i ishin caktuar nënës

Burime nga policia shprehen se 37-vjeçari ka thyer edhe urdhrin e mbrojtjes për të mos iu afruar familjes

POGRADEC - Kishte marrë urdhër nga gjykata që mos t'u afrohej fëmijëve të tij, të cilët i ishin lënë në kujdestari bashkëshortes, por e ka thyer këtë urdhër. Si rrjedhojë, të mërkurën, Jani Mokrari është paraqitur në shkollën 9-vjeçare ku mësonin vajza dhe djali i tij dhe i ka marrë me vete, pavarësisht kundërshtimit të dy fëmijëve. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se "fëmijët janë marrë në mënyrë të dhunshme". Si rrjedhojë, Mokrari ka përfunduar në pranga.

Mësohet se 37-vjeçari Jani Mokrari, lindur në fshatin Slatinë dhe banues në Pogradec, ka shkuar të mërkurën në shkollën ku mësonin dy fëmijët e tij. Për shkak se ai ishte divorcuar pak kohë më parë, togat e zeza pas shqyrtimit të kërkesave kishin vendosur që të dy fëmijët do t'i liheshin në kujdestari nënës së tyre, Suzana Leka.

Mësohet se shkak për dhënien e një vendimi të tillë për babanë ishte bërë fakti që ky i fundit ushtronte dhunë qoftë mbi bashkëshorten e tij, dhe po ashtu mbi fëmijët.

Për këtë arsye përveç dhënies në kujdestari të fëmijëve nënës, gjykata kishte dhënë dhe një urdhër mbrojtjeje, sipas së cilit Jani Mokrari nuk mund t'i afrohej familjes së tij.

Por një gjë e tillë duket se nuk është pranuar plotësisht prej 37-vjeçarit. Mesditën e së mërkurës, kur djali dhe vajza po linin mësimin dhe do të drejtoheshin për në shtëpinë ku jetonin me nënën, përpara u ka dalë babai i tyre i cili u ka kërkuar t'i merrte me vete.

Por, të trembur fëmijët nuk kanë pranuar të shkojnë me të, megjithatë një kundërshtim i tillë nuk është marrë parasysh nga babai, i cili i ka marrë me vete për në banesën e tij.

Pas mësimit të një ngjarjeje të tillë, nëna e fëmijëve, Suzana, e cila ka parë që ata nuk janë kthyer në shtëpi, i është drejtuar policisë duke bërë denoncimin për rrëmbimin e fëmijëve. Punonjës të policisë së Pogradecit janë drejtuar për në banesën e 37-vjeçarit Mokrari dhe kanë marrë djalin dhe vajzën, të cilët i kanë përcjellë më pas pranë nënës së tyre.

Ndërkohë, në orët e mbrëmjes, është vendosur arrestimi i 37-vjeçarit, ndaj të cilit janë ngritur akuzat e "marrjes pa të drejtë të fëmijëve", si dhe "thyerjes së urdhrit të gjykatës", kjo për shkak se nga ana e togave të zeza për nënën dhe dy fëmijët ishte vendosur urdhri i mbrojtjes, në këtë rast i pazbatuar nga babai. Mësohet se ky i fundit ka pohuar se gjithçka e ka kryer vetëm për faktin që e kishte marrë malli të rrinte me fëmijët e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›