E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbeu mitralozin për librat e fëmijëve

Librazhd, 45-vjeçari me probleme mendore donte të vriste edhe drejtorin e shkollës

Burri që rrëmbeu mitralozin dy ditë më parë për të vrarë kryetarin e Komunës së Lunikut në Librazhd, humbi logjikën, sepse nuk kishte para për të paguar librat e fëmijëve. Ky motiv pohohet nga vetë personat që u rrezikuan prej 45-vjeçarit Xhelil Gjata, kryetarit të Komunës së Lunikut, Astrit Xhafa, dhe drejtorit të shkollës së fshatit Prevallë, Ndriçim Gërduqi.

Këta të fundit ishin përcaktuar nga 45-vjeçari Gjata si përgjegjës që fëmijët e tij nuk mund të kishin libra dhe që komuna nuk i kishte dhënë ndihmën financiare për të zbutur varfërinë e tij. Këto rrethana e shtynë Xhelil Gjatën të terrorizonte me mitraloz banorët e Komunës Lunik të rrethit të Librazhdit. Por falë ndërhyrjes në kohë të policisë së Librazhdit u bë e mundur shmangia e një tragjedie të mundshme dhe prangosja e 45-vjeçarit.

Shënjestrat e sulmit

Për të shkuar nga qendra e Komunës Lunik deri në fshatin Prevallë duhet të përshkosh një shpat të pjerrët rrëzë përroit. “Jo, nuk kishte gjë me mua Gjata i Prevallës, por me kreun e komunës dhe drejtorin e shkollës së Prevallës”, ka pohuar drejtori i shkollës së Lunikut, Fati Qeti. Ndërkaq, kreu i komunës na foli në të ikur. “Ke dëgjuar ti në kohën e komunizmit që çdo fshat e kishte nga një shejtan–budalla që nuk punonte, por përpiqej të mbante shtëpinë duke vjedhur magazinat e kooperativës? Kështu është dhe ky i djeshmi, që si dembel e frikacak që është, kishte hedhur mitralozin në fshat për të gjetur fajtorin atje ku nuk ishte”, ka pohuar Astrit Xhafa, kreu i Komunës së Lunikut, ku përfshihet edhe fshati Prevallë. Ndërkohë, na paralajmëron se do ta kemi të vështirë të komunikojmë me të afërmit dhe të njohurit e 45-vjeçarit Gjata.

Shtëpia

Shtëpia e “mitralierit” Gjata, në cep të fshatit, sikur ishte “rrethuar” për mbrojtje. Ca të afërm të tij, që kishin lënë bagëtinë në mal nuk linin të afrohej askush. “Mos u lodh o gazetar, sa kanë ardhur e kanë ikur këndej nga ne, zor se u janë ofruar shtëpive që dhe fshati i ka zët. Na iku një mortje e na erdhi një tjetër”, tha një i moshuar, që edhe pse u përshëndetëm, nuk denjoi të ndalonte.

Ngjarja

Xhelil Gjata, 45 vjeç, baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, tashmë ndodhet në qelitë e paraburgimit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes në Prevallë, ka qenë ora 11:00 e paradites së të hënës, kur me mitraloz në dorë Gjata ka shkuar në shkollën e fshatit Prevallë për të vrarë drejtorin e shkollës. Ky i fundit i kishte kërkuar lekët e librave të tre fëmijët e tij kishin marrë që nga shtatori i vitit të kaluar. Fatmirësisht, shkolla e fshatit Prevallë ka qenë e mbyllur dhe 45-vjeçari nuk ka mundur të takojë drejtorin e kësaj shkolle, Ndriçim Gërduqin. Pasi ka ecur për rreth një orë në drejtim të Komunës së Lunikut, Gjata ka sulmuar me mitraloz zyrat e komunës, madje zyrën e kreut të saj, me pretendimin se nuk i jepnin ndihmë ekonomike. “Komuna e ka ndihmuar me aq fuqi ligjore dhe financiare që ka këtë familje. E kjo jo për Xhafën, pasi ai është tip batakçiu, por për hir të fëmijëve të tij”, ka pohuar kryekomunari. Ndërkohë, mësohet se mbasi ka qëlluar me mitraloz dhe ka thyer xhamat e komunës e shkollës, agresori ka shkuar në dy lokale në qendër të fshatit ku u ka marrë lekët dy shitësve, gjithsej rreth 38 mijë lekë. Aty ka gjetur dhe dy banorë nga fshati Zabzun i Komunës së Steblevës, të cilëve u ka marrë paratë që kishin me vete dhe pastaj është larguar për në fshatin e tij, në Prevallë.

Policia

Policia e Librazhdit ka arritur në një kohë rekord në fshatin e tij të lindjes dhe gjatë operacionit të drejtuar nga shefi i Krimeve, Arjan çalja, ka arrestuar Gjatën. Policia ende po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes dhe të gjithë personat që mund të kenë dijeni për të. Ndërkohë, sipas të dhënave, Gjata vuante nga depresioni mendor. Madje, ai ka qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, por nuk është i pajisur me kartelë mjekësore.
Sakaq, policia e Elbasanit ka njoftuar dje zyrtarisht se Gjata, përveç terrorit në fshat me armë është futur në ambientet e Komunës Lunik ku ka terrorizuar punonjësit dhe ka dëmtuar e thyer dyert e zyrave. Nga ana e policisë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, një mitraloz i lehtë model 56, si dhe 5400 lekë. Ndërkohë, materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprat penale: “Vjedhje me armë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›