E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbimi i biznesmenit grek, tre shqiptarë në pranga



Selanik

Një shqiptar është arrestuar nga policia greke, pasi dyshohet se është njëri prej autorëve që kryen rrëmbimin e biznesmenit grek, Jorgo Evazoglu. Pas një periudhe hetimi, agjentët e policisë greke kanë arritur që të identifikojnë autorët. Sipas policisë, personat që kishin marrë pjesë në këtë rrëmbim ishin tre dhe të gjithë i përkisnin kombësisë shqiptare. I fundit i këtij grupi ishte 35-vjeçari, i cili u prangos dy ditë më parë dhe emri i të cilit nuk identifikohet për arsye hetimore. Agjentët kishin organizuar një tjetër operacion pak kohë më parë, ku kishin vënë në pranga dy pjesëtarët e tjerë të grupit të rrëmbyesve. Policia nuk jep identitetin e të arrestuarit, megjithatë, mësohet se u është dashur shumë punë gjatë arrestimit, pasi shqiptari ka qenë i armatosur dhe ka pasur shkëmbim zjarri midis dy palëve. Përplasja ndodhi në Selanik, qyteti që konsiderohet i dyti për nga madhësia dhe popullsia në Greqi. Sipas policisë, 35-vjeçari është i njohur si kontingjent për ta, pasi ka pasur të tjerë precedentë penalë. Rreth 10 vjet më parë, ky shtetas ishte përfshirë në rrëmbimin e një vajze 16-vjeçare. Referuar të njëjtave burime, ai është shoqëruar menjëherë për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë greke, me akuzën e “rrëmbimit të personit”.

Arrestimi

I riu shqiptar u arrestua mbrëmjen e dy ditëve më parë nga policia e Selanikut. Sipas njoftimit të policisë greke, ata kishin arritur që ta lokalizonin dhe rrethonin 35-vjeçarin, në afërsi të shinave pranë stacionit hekurudhor të Selanikut. Megjithatë, kur e ka parë se ka qenë i rrethuar, shqiptari është përpjekur që të rezistojë, në mënyrë që t’i shmanget arrestimit. Ai ka qenë i armatosur dhe ka filluar të qëllojë ndaj agjentëve, me qëllim që t’u largohet atyre. Por, policia greke ka rrethuar tërë zonën, duke bërë që për 35-vjeçarin të jetë i pamundur largimi. Kur kanë parë se shqiptari ka nisur që të qëllojë, edhe ata i janë kundërpërgjigjur zjarrit. Përplasja me armë ka qenë e rrezikshme, pasi në ato momente ka pasur disa dhjetëra kalimtarë, të cilët ndodheshin në stacionin hekurudhor dhe rrezikoheshin nga plumbat. E gjithë ngjarja e prangosjes së shqiptarit të dyshuar për rrëmbimin e biznesmenit ndodhi në prani të disa dhjetëra kalimtarëve që u vunë nën panik.

Ngjarja

Ngjarja për të cilën u krye arrestimi i shqiptarit ndodhi 24 tetorin e kaluar, ku ai akuzohet se së bashku me dy shqiptarë të tjerë, një 25-vjeçar dhe një tjetër 23-vjeçar, rrëmbyen biznesmenin 59-vjeçar Jorgo Evazoglu. Ata ishin të armatosur me armë zjarri dhe arritën që ta rrëmbenin 59-vjeçarin, duke e mbajtur peng për disa ditë në këmbim të një shume të konsiderueshme në miliona euro. Rrëmbimi i biznesmenit grek u krye në zyrën e kompanisë së tij në lokalitetin Kalohori dhe ai u mbajt peng për pesë ditë rresht nga tre djemtë shqiptarë. Ata e kishin çuar Evazoglunë në një apartament në qendër të qytetit Sikies, në rajonin e Selanikut. Ata u kërkuan familjarëve për të lënë të lirë 59-vjeçarin, një shumë prej 400 mijë eurosh. Por planet e tyre nuk u realizuan dot, pasi policia ra në gjurmët e tyre. Tre pengmarrësit e lanë të lirë biznesmenin duke mos arritur të merrnin gjobën e kërkuar. Pasi kërkesa e tyre nuk u realizua, ata e lanë të lirë biznesmenin, duke marrë vetëm një shumë prej 13 mijë eurosh. Këto para iu gjetën me vete 59-vjeçarit në momentin e rrëmbimit. Policia greke ka arrestuar kështu grupin e përbërë nga tre shqiptarë, të cilët dyshohen si përgjegjës për ngjarjen e 24 tetorit të vitit të kaluar. Ata janë çuar në qeli dhe pritet të dalin përpara gjykatës greke, për të marrë dënimin në lidhje me këtë vepër penale të kryer.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›