Rrëshen, 58-vjeçari vetëdigjet në oxhakun e shtëpisë
Ndue Bunga nga fshati Ndërfushas i Rrëshenit ka gjetur vdekjen duke u hedhur në oxhakun e shtëpisë
RRËSHEN- Një 58-vjeçar është hedhur në oxhakun e shtëpisë ku banonte, duke u shkrumbuar krejtësisht. Ngjarja ndodhi në fshatin Ndërfushas të bashkisë së Rrëshenit rreth orës 10.00 dhe u lajmërua nga vetë të afërmit e familjes Brunga në këtë fshat. Ata kanë njoftuar policinë se pjesëtari i familjes, Ndue Brunga, 58-vjeç, ishte hedhur në oxhakun e mbushur me dru të ndezura, duke gjetur vdekjen. Skena e ngjarjes ka pasur një pamje të llahtarshme, pasi gjithandej dukeshin pjesë të mbetura nga djegia. Konsumi i alkoolit, problemet e 58-vjeçarit që ishte i pamartuar dhe traumat psikike janë disa nga shkaqet që dyshohet ta kenë shtyrë atë drejt vetëflijimit.
***
Kanë qenë disa të afërm të familjes që e kanë gjetur 58-vjeçarin të djegur dhe më pas e kanë marrë dhe e kanë nxjerrë në oborrin e shtëpisë. Të tjerë familjarë kanë njoftuar me urgjencë ambulancën dhe i djeguri është dërguar në spital, me shpresën se mund të bëhej diçka për t'i shpëtuar jetën. Sipas mjekëve, që e kanë pritur në urgjencë dhe që kanë parë trupin, djegia ka rezultuar e një shkalle shumë të lartë. "Ka qenë e pamundur çdo lloj ndërhyrjeje që mund të bëje, pasi kufoma ishte shformuar e tërë nga djegia, duke u kthyer në një kërcu të errët",- kanë bërë me dije mjekët e spitalit.
***
Më pas në vendngjarje ka shkuar policia, duke pyetur të afërmit që e kanë sinjalizuar atë, pasi njerëzit e shtëpisë në ato momente ndodheshin në spitalin e Rrëshenit, ku kishin dhe dy të sëmurë të tjerë. Sipas burimeve policore, të afërm të tij kanë dëshmuar se para se të vetëdigjej 58-vjeçari ka pirë. Sipas tyre, ata i kanë gjetur aty dhe një shishe raki dhe me sa duket pas konsumimit të shumtë të alkolit është hedhur për t'u vetëflijuar në zjarrin e oxhakut të shtëpisë. Ndërkohë në vendngjarje ka shkuar policia vendore duke ngritur një grup hetimor me specialistë për të kryer ekspertizën e cila do të sqarojë plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
***
Mësohet se 58-vjeçari ka qenë nën efektin e traumave psikike, ndërkohë që ishte i pamartuar dhe jetonte me njerëzit e afërm të tij. Në momentin që ka ndodhur djegia e tij, pjesëtarë të tjerë të shtëpisë kanë qenë tek spitali Rrëshen, duke u kujdesur për të sëmurët që kishin të shtruar aty. Ndueja ka përfituar nga rasti që ata janë larguar dhe është hedhur në zjarr, duke gjetur vdekjen. Viktima ka qëndruar deri në orët e vona tek morgu i spitalit, duke kundërmuar erë shumë të rëndë nga djegia e tërë trupit, ndërsa pritej ardhja e ekspertëve të kriminalistikës për të nxjerrë shkaqet e vërteta të këtij vetëflijimi.