E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata; Vendimi, lirohet me kusht Ylli Kelmendi



Pas lirimit me kusht të Sokol Koçiut, një tjetër person fitoi lirinë dje nga gjykata. Gjykata e Tiranës vendosi dje të lirojë me kusht Ylli Kelmendin, por nuk duhet që gjatë kësaj kohe të kryejë tjetër vepër penale. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Petrit Çomo. Pasi shqyrtoi dokumentacionin, ka vendosur të pranojë kërkesën, duke e liruar me kusht mikun e ngushtë të Mirit të Xhikes, një nga dëshmitarët okularë të vrasjes së këtij të fundit. I dënuar me 2 vjet burg, shoku i ngushtë i Mirit të Xhikes, Ylli Kelmendi, ka lënë dje qelitë e burgut 302. Kelmendi u dënua nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “kundërshtimit të punonjësit të policisë”. Gjatë procesit hetimor dhe mbrojtjes në gjykatë, 44-vjeçari Kelmendi është shprehur se armën e mbante për vetëmbrojtje, por pa dhënë më tepër detaje për këtë fakt. Sipas akuzës, Kelmendi akuzohet për dy vepra penale, “për kundërshtim të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Arrestimi i Kelmendit u bë në muajt e parë të vitit të kaluar në rrugën “Xhorxh Bush”, në afërsi të Parlamentit në Tiranë. Sipas akuzës, mësohet se Kelmendi nuk ka pranuar të kontrollohet nga policia dhe ka goditur dy prej efektivave të saj. Përforcimet në radhët e policisë kanë çuar në ndalimin dhe më pas në dërgimin e tij në qeli. Gjatë kontrollit, atij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip “TT”, me një krehër me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje. Ylli Kelmendi është shoqëruar disa herë në polici për vepra të ndryshme penale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›