E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreshje borë në veri, bllokohen disa komuna

KUKES- Rreshje bore e temperature të ulta në veriun e vendit, Kukësi, Puka, Bulqiza e Peshkopia janë mbuluar nga bora që në orët e apra të mëngjesit, ndërkohë që disa komuna janë të bllokuara, ndërsa akset kalohen me vështirësi. Në Kukës rezultojnë të bllokuara komunat Arrën, Zapod dhe Grykë Cajë. Ndërsa në rrethin e Pukës, komuna Iballë vazhdon të jetë e blokuar prej dy ditësh. Reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në rrugët që përshkojnë veriun e vendit. Policia e Pukës ka urdhëruar bllokimin e qarkullimit për mjetet e tonazhit të lartë në segmentin Qafë Mali -Kukës dhe Qafë Mali-Bajram Curri. Vështirësi të lëvizjes paraqiten edhe në segmentin Pukë-Fushë Arrëz, si edhe Fushë Arrëz-Qafë Mali. Lëvizja e mjeteve të vogla bëhet e mundur vetëm me zinxhirë në segmentet e lartpërmendura. Segmenti rrugor Kryezi-Qafë Mali, vazhdon të mbetet i bllokuar, ndërsa banorët e zonave të izoluara bëjnë me dije se askush nuk po ndërhyn për zhbllokimin e rrugës. Aktualisht firmat sipërmarrëse për mirëmbajtjen e rrugëve po bëjnë pastrimin dhe kriposjen e segmenteve, por reshjet që vazhdojnë të bien e bëjnë qarkullimin e mjeteve të vështirë. Reshje bore dhe temperature të ulta janë regjistruar edhe në Bulqizë e Peshkopi.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›