Rreshqet ne akull vdes 53-vjecari
Ngricat dhe akulli në rrugë shkaktojnë një viktimë në qytetin e Korçës. Një 53-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht, si pasojë e rrëshqitjes nga akulli. Policia lokale bëri të ditur se Ylber Kovaçi, 53 vjeç, banor i lagjes nr.8 në qytetin e Korçës ka humbur ekuilibrin dhe ka goditur kokën në akull, ndërsa ka qenë duke shkuar për në shtëpi. Mësohet se burri është ngritur në këmbë pas rrëshqitjes dhe ka shkuar në shtëpi, ku familjarët i kanë kërkuar që të shkojë në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, por nuk ka pranuar. Vetëm një orë më pas, ai nuk është ndier mirë dhe gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Familjarët e kanë çuar me urgjencë për në spital, por çdo përpjekje ka qenë e kotë. Burime nga spitali i Korçës bënë të ditur se 53-vjeçari kishte pësuar dëmtime serioze në kokë, çka i ka shkaktuar atij vdekjen. Mjekët e spitalit të qytetit bëjnë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka pasur disa raste të paraqitjes për ndihmë mjekësore të personave që kanë rrëshqitur në akullin që ka mbuluar rrugët e qytetit. Kanë qenë të shumta rastet e frakturave në gjymtyrë, por rasti i djeshëm ka qenë më i rëndi. Si pasojë e reshjeve të dëborës dhe uljes së ndjeshme të temperaturave, në rrugët e qytetit të Korçës, kryesisht ato dytësore, janë krijuar shtresa akulli të rrezikshme për këmbësorët. Ndërkaq, dy ditë më parë nga temperaturat e ulëta që arritën nën minus 12 gradë në qytetin e Korçës u regjistrua edhe viktima e parë nga të ftohtit.