Vdes duke vjedhur hekur per te siguruar buken 58-vjecari
Një 58-vjeçar nga fshati Golaj i Rrethit të Hasit gjeti vdekjen dje ndërsa një shoku i tij u plagos rëndë teksa të dy përpiqeshin të “vidhnin” hekur duke shkatërruar strukturën e një kantieri të vjetër në fshatin e tyre. Policia lokale njoftoi se Sali Dauti 58 vjeç humbi jetën rreth orës 14:00 të ditës së djeshme kur po shembte një ndërtesë të kantierit të braktisur të minierës së bakrit në Golaj, 10 kilometra larg qytetit të Krumës, ku mbeti i plagosur edhe kushëriri i tij, Emerli Dauti, 44 vjeç. Një burim i policisë së Kukësit bën të ditur se edhe 44-vjeçari u plagos nga shembja e mureve të amortizuara të një ndërtese, ku që të dy po nxirrnin material ndërtimi. Mësohet gjithashtu se i plagosuri ndodhej jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Krumës. Dy kushërinjtë po merrnin materiale ndërtimi nga godinat e kantierit të braktisur në fillim të viteve ’90 nga minatorët e bakrit.
Mbledhja, apo vjedhja e hekurishteve për skrap është bërë vitet e fundit mënyrë jetese për qindra kryefamiljarë të papunë anekënd vendit. Për shumë prej tyre, kjo ka qenë edhe një mënyrë vdekjeje.
Vetëm gjatë vitit 2010 kanë gjetur vdekjen duke mbledhur apo vjedhur hekurishte për skrap të paktën katër persona. Në muajin mars të këtij viti, një 27-vjeçar me emrin Kujtim Kovaçi gjeti vdekjen, ndërsa vidhte në ecje e sipër trenin me hekurishte që udhëtonte nga Durrësi në Elbasan. I riu ra në kontakt me telat e korrentit që kalonin mbi linjën hekurudhore dhe gjeti vdekjen e menjëhershme.
Një 43-vjeçar vdiq në muajin shtator në Bathore të Tiranës, në të njëjtën mënyrë si vdiq dje Sali Dauti nga Golaj. Lusha ishte duke u munduar të shkatërronte ndërtesën e një pularie të braktisur në Bathore, për të marrë hekurin nga konstrukti i saj, por e zuri poshtë soleta dhe i mori jetën.
Në të njëjtin muaj, shtator 2010, një 17-vjeçar vdiq dhe tre të tjerë të moshave nga 18 në 26 vjeç u plagosën rëndë, pasi u zunë nën gërmadhat e fabrikës së braktisur të vajit në Lezhë, ku po tentonin të mblidhnin hekurishte për t’i shitur për skrap.