Rrëshqet stoku i kromit,plagosen 4 veta
BURREL - Një tjetër ngjarje e rëndë në stoqet e kromit, por tashmë në rrethin e Matit. Burime të policisë pohuan për gazetën "Panorama" se në orët e pasdites së djeshme është shënuar një ngjarje e rëndë aksidentale në një stok kromi në afërsi të Balgjajt, një zonë kjo mineralmbajtëse. Të njëjtat burime sqarojnë se shembja e një masivi shkëmbor në sipërfaqe të stokut ka vënë në rrezik jetën e katër banorëve të këtij rrethi. Sipas zëdhënësit të policisë, dy nga të aksidentuarit janë në gjendje më të rëndë, ndërkohë dy të tjerë jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se janë plagosur rëndë dhe i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale Azem Dema e Afrim Hani, që të dy banorë të qytetit të Klosit, ndërkohë kanë pësuar më pak dëmtime A. Milkurti dhe I. Dulli. Të dëmtuarit janë dërguar me shpejtësi në spitalin e Burrelit ku Dema dhe Hani i janë nënshtruar operacioneve për shkak të dëmtimeve serioze, ndërkohë dy të plagosurit e tjerë nuk kanë pasur probleme për jetën. Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për ngjarjen. h.p