E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrëshqitja 6 metër, zbulohen 500 varre

08/03/2005  Vazhdon shkarja e varreve në Pogradec

POGRADEC - Vazhdon zhvendosja e dheut në varrezat publike të qytetit të Pogradecit. Gjatë mbrëmjes së djeshme, sipas kryetarit të Bashkisë, Artan Shkëmbi, toka ka shkarë edhe 2,20 metra më tepër, duke nxjerrë në sipërfaqe edhe 230 të vdekur të tjerë. Si pasojë e rrëshqitjes prej 6 metrash së disa masiveve të dheut argjilor nën efektin e reshjeve të dëborës e të shiut deri tani janë zbuluar mbi 500 varre.

Evakuimi

Sipas Shkëmbit, do të jetë e nevojshme edhe evakuimi i pjesës së poshtme të varreve për t’i sistemuar në varrezat e reja, vendndodhja e të cilave do të jetë te fshati Gurras, në rrethin e Pogradecit, ndërkohë që një pjesë e mirë e familjarëve i kanë varrosur të afërmit e tyre të vdekur nëpër fshatrat ku banojnë. Për gati 2 ditë me radhë shikohen në varrezat publike të njëjtat pamje. Qindra banorë që kërkojnë varret e të afërmve të tyre, pasi shkarja e mëtejshme e tokës ka vështirësuar gjetjen e tyre. „Nuk ka të humbur - shprehet kryetari i bashkisë - edhe pse në qoftë se situata vazhdon të përkeqësohet nuk përjashtohet si mundësi. Ditën e premte janë marrë sinjalet e para për zhvendosjen e varrezave publike në këtë qytet, të cilat për fat të keq nuk u morën seriozisht. Duket se shkaku i ndodhjes së kësaj ngjarjeje katastrofike ka të bëjë me terrenin e pjerrët, në të cilin janë të vendosura këto varre mbi një shpat mali. Për përballimin e kësaj situate janë dhënë 27 milionë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe 15 milionë lekë nga vetë bashkia e Pogradecit.

Rrëshqitja

Çdo gjë ka filluar rreth katër ditë më parë, kur si pasojë e reshjeve të shumta të shirave si dhe e prurjeve të përrenjve të zonës filluan që të rrëshqasin varrezat dhe të dalin në sipërfaqe arkivolet si dhe trupat e të vdekurve. Pas kësaj ngjarjeje, qyteti i Pogradecit është rrezikuar nga epidemi të ndryshme, të cilat mund të vijnë si pasojë e kufomave të dala në sipërfaqe. Strukturat e shëndetësisë së qytetit dhe ato të ushtrisë kanë bërë dezinfektimin e zonës në fjalë, por përsëri rreziku mbetet i madh, pasi gjatë këtyre ditëve zona e varrezave është bërë shesh kantieri ndërtimi nga familjarët e të vdekurve, të cilët kanë rendur me vrap për të gjetur kockat e të afërmve të tyre. Qytetarë të shumtë, të shokuar nga lajmi që ka qarkulluar nëpër qytet, që në mëngjesin e së shtunës kanë rendur drej varrezave për të parë gjendjen e banesave të fundit të të afërmve të tyre. Një pjesë që kanë qenë më me fat kanë arritur që t’i gjejnë dhe t’i sistemojnë për së dyti eshtrat e të afërmve dhe familjarëve, ndërsa në pjesë tjetër nuk kanë mundur më që të gjejnë eshtrat, ndaj nuk do të kenë më një vend për të qarë e dërguar lule kujtimi të afërmve. Sipas burimeve zyrtare mësohet se më të dëmtuara kanë qenë varrezat e vjetra të qyteti, të cilat janë prishur pothuajse plotësisht, duke sjellë dhe një përzierje të madhe eshtrash të të vdekurve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›