E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rreth 4000 banorë “peng” të dëborës

08/03/2005  Zonat e thella sërish të izoluara

SHKODËR - Qyteti i Shkodrës përsëri është gdhirë në mëngjesin e djeshëm tërësisht i zbardhur nga dëbora e rënë me reshje të dendura gjatë gjithë natës dhe që ka vazhduar tërë paraditen e djeshme. Si pasojë e këtyre reshjeve është vështirësuar qarkullimi i automjeteve në rrugët e qytetit, të cilat u inspektuan nga punonjësit e qarkullimit rrugor, me qëllim shmangien e aksidenteve. Ndërkohë që problemet më të mëdha, reshjet e dëborës i kanë krijuar në zonat malore të Qarkut të Shkodrës, ku numri i të izoluarve në komunat malore të këtij qarku arrin në 4000 banorë. Burimet pranë prefekturës bëjnë të ditur se, mjetet që ka në dispozicion pushteti vendor, e bëjnë të pamundur menaxhimin e situatës, në rast se do të kemi parasysh vazhdimësinë e reshjeve si dhe bllokimin që në fillim të komunës së Këlmendit, pa e zhbllokuar atë asnjëherë, e ku rruga që të shpie në Vermosh në vend që të zhbllokohet, po bllokohet nga dita në ditë, duke rritur largësinë nga kjo zonë nga 14 km që ishte gjatë fazës së parë, në 21 km në ditët e fundit.

Në lidhje me përsëritjen e rëndimit të situatës në ditët e fundit në Qarkun e Shkodrës, është prononcuar për gazetën “Metropol”, shefi i informacionit pranë Shtabit të Emergjencës në Prefekturën e Shkodrës, Pëllumb Dani.

Si paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës pas dëborës së fundit?

Në rajonin e Qarkut Shkodër, reshjet e dëborës kanë rifilluar përsëri, duke rënduar edhe njëherë situatën në rajonin e këtij qarku. Sipas informacioneve të marra nga Drejtoria e policisë, nënprefektët dhe kryetarët e njësive vendore, reshjet e dëborës kanë arritur deri në 70 cm në Qafë Mali dhe 50 cm në rrethin e Pukës, mbi 70 sipër dëborës së vjetër në Komunën e Këlmendit dhe 8 deri në 10 cm brenda qyteteve Shkodër e Koplik. Po t’i referohemi akseve nacionale, në rrethin e Shkodrës janë bllokuar rrugët Mes-Pult-Shosh-Breg Lumi, Mes-Muri i Turkut, Hot-Vermosh-Kastrat, Shkodër–Koman. Përveç këtyre të dhënave është gërryer rreth 6 metra ura e Gomsiqes si dhe 10 metra mure mbajtës në aksin rrugor pranë fshatit Karmë. Për hapjen e këtyre akseve po punojnë pa ndërprerje mjetet e Shkodrës, të Drejtorisë Rajonale të rrugëve. Ndërsa në rrethin e Pukës janë të bllukuara që të gjitha rrugët nacionale, duke përjashtuar aksin Pukë-Fushë Arrëz, që vazhdon të jetë i hapur. Drejtoria Rajonale e rrugëve edhe këtu po punon me të gjitha mjetet e saj që disponon për hapjen e akseve Luf-Qerret, Fushë Arrëz-Qafë Mali të këtij rrethi. Përveç tyre janë të bllokuara edhe akset rurale që lidhin kumunat me qendrën e rrethit. Në rrethin e Shkodrës janë të bllokuara rrugët që lidhin komunat Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Temal, ndërsa në Malësinë e Madhe janë të bllokuara komunat Këlmend dhe disa fshatra të komunës Shkrel. Për të komunikuar me këto zona përsëri është duke na ardhur në ndihmë Drejtoria e policisë me anë të radiove.

Si paraqitet problemi i furnizimit me ushqime dhe energji elektrike?

Përsa i përket furnizimit me ushqime, në datën 4 mars të këtij viti është akomoduar në rezervat e shtetit në Gradeskie, rreth 9 tonë miell, i cili është planifikuar për t’i dërguar nga 3 tonë për komunat Shalë, Shosh, Këlmend. Ndërsa përsa i përket problemit me energji, në komunën Shalë janë 2 transformatorë të dëmtuar, të cilët kanë lënë në errësirë dy fshatra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›