E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet e tokës, 40 familje mbeten të pastreha

07/03/2010 Në komunën e Velçanit, në rrezik dhe shumë banesa të tjera

Prefektura u jep ndihmën dhe çadra të prekurve, studim mbi tokën

Reshjet e tejzgjatura të dimrit, të cilat sollën mjaft rrëshqitje në zona të ndryshme të qarkut Korçë, së fundi kanë tronditur komunën e Velçanit në rrethin e Pogradecit. Dy fshatrat më të rrezikuar të kësaj komune janë fshati Laktesh dhe fshati Velçan. Informacionet e para zyrtare bëjnë fjalë për dëmtime apo rrezik shembje për 40 banesa, por ndërkaq të njëjtat burime konfirmojnë se rrëshqitja e tokës tashmë ka përfshirë 80% të sipërfaqes të të dy fshatrave, ku më i rrezikuari paraqitet fshati Laktesh, i komunës Velçan. Mësohet gjithashtu se në fshatrat e rrezikuar kanë mbërritur shtabi i emergjencave civile dhe Prefekti i Qarkut Korçë, Andrea Mano. Megjithatë situata vazhdon të mbetet alarmante, sepse rrëshqitja e tokës ende vazhdon të jetë aktive. Ndërkohë specialistët janë shprehur se edhe në ditët në vijim do të ketë lëvizje masive të tokës, çka do të thotë se numri i banesave të rrezikuara apo të shembura do të jetë më shumë se 40. Gjithsesi, nëse reshjet e shiut do të vazhdojnë si në ditët e kaluara, atëherë gjithçka mbetet e paparashikueshme. Pra, përmasat e katastrofës do të jenë shumë më të mëdha se kaq. Aktualisht kanë mbetur pa banesë 40 familje, të cilët nuk kanë asnjë mundësi të largohen nga fshatrat e tyre, pasi janë të lidhur ngushtë me ekonominë e tyre bujqësore. Si fshati Velçan edhe fshati Laktesh e bazojnë ekonominë e tyre mbi prodhimin blegtoral. Rrëshqitja e parë është regjistruar para 25 vjetëve, por që në të vërtetë nuk kishte sjellë dëmtime kaq serioze. Fill pas marrjes së njoftimit mbi rrëshqitjet që kishin ndodhur në fshatin Laktesh dhe Velçan të Komunës Velçan të rrethit Pogradec, shtabi i emergjencave civile, i kryesuar nga Prefekti i Qarkut Korçës, Andrea Mano, është gjendur që në çastet e para në dy fshatrat e rrezikuar, ku bashkë me ndihmat e tjera janë çuar edhe 40 çadra për 40 familjet e mbetura të pastreha. Nga vetë Prefekti Mano u është kërkuar banorëve të lenë banesat e tyre dhe të mos rrezikojnë jetën e familjarëve, pasi qeveria do t’u gjendet pranë me ndihmat e nevojshme. Ndërkaq, Mano u ka premtuar banorëve edhe ndihma të tjera ushqimore, ndërsa kërkoi nga Kryetari i Komunës Velçan, Ilia Mani përgatitjen e një listë kërkese për të gjitha nevojat që kanë banorët e rrezikuar. Më tej, Prefekti Mano, u bëri të ditur banorëve në fjalë se ka filluar kryerja e një studimi gjeologjik, i cili do të përcaktojë nëse kjo sipërfaqe tokë mund të jetë e banueshme ose jo. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›